Prishtinë, 9 shtator 2026 07:00
Kuvendi i Kosovës pritet të rifillojë sot procesin e konstituimit, pas më shumë se një muaji bllokadë institucionale. Seanca e vazhdimit është caktuar të mbahet të mërkurën, në orën 11:00.
Pjesëmarrjen në seancë e kanë konfirmuar Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ndërsa Aleanca ka vendosur të bojkotojë seancën.
Në qendër të vëmendjes mbetet sigurimi i votave për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Pjesëmarrja e Lëvizjes Vetëvendosje konsiderohet vendimtare për vazhdimin e procesit. Si subjekti që doli i pari në zgjedhjet e 7 qershorit, Vetëvendosje ka numrin më të madh të deputetëve dhe mbetet aktori kryesor në procesin e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kryetari i Vetëvendosjes dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte deklaruar më herët se partia e tij nuk kishte arritur marrëveshje me subjektet e tjera politike për përbërjen e udhëheqjes së Kuvendit.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka konfirmuar pas mbledhjes së partisë se deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në seancën e së mërkurës.
Hamza ka theksuar se konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm dhe se Kosova duhet t’i ketë institucionet funksionale sa më shpejt.
“Të gjitha veprimet që ne i ndërmarrim këto ditë ndërlidhen edhe me datën 16 shtator. Ne jemi të bindur se në këtë kohë Kosova ka nevojë që të ketë Kuvend të konstituuar”, ka deklaruar Hamza.
PDK-ja ka bërë të ditur gjithashtu se do të propozojë Vlora Çitakun për pozitën e nënkryetares së Kuvendit, duke insistuar se kandidatura e saj është dorëzuar brenda afatit të përcaktuar.
Edhe LDK-ja ka konfirmuar pjesëmarrjen në seancë. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, deputetja Jehona Lushaku ka deklaruar se deputetët e LDK-së do të jenë të pranishëm dhe do të kontribuojnë në përfundimin e procesit.
“Vendosëm si grup që të marrim pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit”, ka thënë Lushaku.
Aleanca ka vendosur të mos marrë pjesë në seancë.
Kryetari i saj, Ardian Gjini, ka deklaruar pas mbledhjes së kryesisë se shumica dërrmuese e deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë kanë mbështetur vendimin për bojkot.
Sipas Gjinit, pjesëmarrja në seancë do të nënkuptonte legjitimimin e asaj që ai e cilësoi si “shkelje të vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës” nga partia fituese e zgjedhjeve.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 7 qershor, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi rezultatet më 8 korrik.
Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhej të konstituohej brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve. Afati përfundimtar ishte 7 gushti.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e kishte thirrur seancën e parë të legjislaturës së re më 6 gusht. Por pamundësia për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët bëri që procesi të mbetej i papërfunduar.
Seanca vazhdoi më 8 gusht nën drejtimin e Avni Deharit, por edhe atëherë nuk pati rezultat. Kurti kërkoi kohë për vazhdimin e negociatave me partitë e tjera, ndërsa seanca u ndërpre pa u caktuar një datë e re.
Pas disa javësh presioni politik dhe kërkesave të vazhdueshme nga partitë opozitare për rifillimin e procedurave, më 4 shtator Avni Dehari njoftoi se vazhdimi i seancës do të mbahej më 9 shtator.
Në sfondin e kësaj krize institucionale, më 31 gusht Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftuan marrëveshjen për një kandidat të përbashkët për president.
Bëhet fjalë për ish-diplomatin dhe ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu.
Megjithatë, marrëveshja nuk është mbështetur nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke e lënë të pasigurt edhe procesin e zgjedhjes së presidentit.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj