Mitrovicë, 29 gusht 2026 11:44
Mihan Beqiri ka pritur 27 vjet lajmin mbi fatin e vëllait të tij, Ademit, të vrarë nga forcat ushtarake serbe në prillin e vitit 1999.
Beqiri, mes mërzisë për humbjen e të afërmit dhe ngushëllimit se mund të gjejë trupin e tij, kishte mbërritur të premten, bashkë me familjarë të personave të tjerë të zhdukur, në Kalludër të Zubin-Potokut, vendin ku më shumë se një muaj më parë nisën gërmimet dhe si rezultat i tyre u gjetën mbetjet mortore të 23 personave.
Për Mihan Beqirin, i cili e ka vëllain e zhdukur, ky moment nuk është i lehtë.
“Në 2003-n kam qenë, kam kontrolluar këtu, dhe më ka treguar një boshnjak. I kam treguar prokurores asaj që ka vdekur. Me zor e kam shti që të më lajmërohet. Më pas ka telefonuar një grua dhe më ka pyetur a jeni Mihan Beqiri. I thash po unë. Më tha a mund të vish, i thash menjëherë. Më asnjëherë nuk më ka thirrur. Derisa kanë ardhur Hetuesia e Prishtinës ne kemi qenë tre herë, kemi hulumtuar në të gjitha anët”, ka treguar Mihan Beqiri.
E lehtësuar, pavarësisht dhimbjes për babanë dhe dajën, është shprehur Flaka Fazliu.
“Po si nuk jam, bile eshtrat, e di varrin ku e ka… Qe 27 vjet asgjë, e kanë ditë mirë, por nuk kanë punuar deri tash, tash kush i shtyu nuk e di”, ka thënë ajo.
Sadete Ujkani-Gërxhaliu, motra e vëllezërve Ujkani, ka thënë se tash familjarët kanë të paktën një vend ku mund të vendosin lule.
“Është një lehtësim, falënderojmë institucionet, falënderojmë Policinë e Kosovës, ju falënderojmë juve. Së paku e kemi një lehtësim që t’ua gjejmë varrin, që të shkojmë dhe t’i vendosim lulet. Është një mërzi e rëndë, kështu qenka shkruar për ne”, ka thënë Ujkani.
Kryetarja e shoqatës Zëri i Prindërve në Mitrovicë, Gjyla Haziri, ka thënë se e kanë parë të rëndësishme ta organizojnë një vizitë në vendin ku janë gjetur eshtrat, sepse familjarët çdo ditë kanë trokitur në dyert e organizatës, duke kërkuar të shohin së afërmi vendin e varrezës masive.
Institucionet e Kosovës i kanë nisur gërmimet në korrik të këtij viti, në tri lokacione në Kalludër të Vogël dhe Jabukë të Zubin-Potokut dhe i kanë shpallur të mbyllura më 21 gusht. Mbetjet mortore besohet se u përkasin 23 personave të zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999, e të njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës”.
Të paktën 10 mbetje kockore të gjetura nga gërmimet janë dërguar në laboratorin e ADN-së në Hagë, ndërsa identifikimi përfundimtar pritet të bëhet pas përfundimit të të gjitha ekzaminimeve mjekoligjore.
Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka thënë se familjarët tashmë janë më afër së vërtetës dhe drejtësisë, por ka kërkuar durim deri në përfundimin e të gjitha procedurave.
Hoti ka thënë se procesi i identifikimit përmes ADN-së është i domosdoshëm për të konfirmuar nëse mbetjet mortore u përkasin 23 personave të zhdukur, ndërsa kritikoi Serbinë për, siç tha, mosbashkëpunim në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Ende kemi punë shumë, sepse fatkeqësisht kemi punë me një shtet që ka mendësi kriminale. Nuk është që e ka pasur në vitet ’90 vetëm, por e ka edhe sot. Shteti serb, ju siç e dini edhe sot, mos të shkojmë më larg se sot, po tentojnë të varrosin me nderime të larta shtetërore kryekriminelin serb që ka bërë krime në Bosnjë-Hercegovina, Mlladiq. Kjo nënkupton që ata ende sot e kanë një mendësi të tillë kriminale. Ata nuk e pranojnë as fajin, as krimet që i kanë bërë, as gjenocidin që e kanë bërë ndaj neve dhe Bosnjës e Kroacisë. Ende sot kanë të njëjtën mendësi. Prandaj ne e kemi goxha të vështirë përballjen me ta edhe në raport me fatin e personave të zhdukur. E dini që disa vjet kemi marrë pjesë në bisedime në Bruksel edhe siç shihni në vende të tjera, por informacionet që ata duhet t’i japin, të cilat i kanë, të cilat ne po vazhdojmë të ia kërkojmë përmes arkivave të tyre të klasifikuara, vazhdojnë t’i mbajnë të hekurta në sirtarët e tyre dhe jo t’i shpërndajnë apo t’i japin për të zbardhur më tutje fatin e personave të zhdukur”, ka deklaruar ai.
Prokurorja Florije Shamolli ka thënë se rastin e 23 personave të zhdukur është duke e trajtuar prej shtatë vjetësh dhe se provat e mbledhura deri tani i çojnë hetimet drejt tyre, por identifikimi nuk mund të konfirmohet pa rezultatet e ADN-së.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, ka deklaruar se zbulimi i varrezave masive është rezultat i një pune disavjeçare të institucioneve të Kosovës.
Ndërsa, shefi i Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë Luftës pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Florim Elshani, ka thënë se hetimet për këtë rast janë intensifikuar nga viti 2024.
Valon Hyseni nga Instituti i Mjekësisë Ligjore është shprehur se pas evidentimit të tri lokacioneve, procesi tashmë ka kaluar në fazën e ekzaminimit dhe identifikimit.
“Sigurisht që përfundimi i lokacionit nuk është fundi i kësaj pune. Pra, këtu fillon puna më e madhe, e cila tash do të bëhet në laboratorin për Mjekësi Ligjore, ku ka filluar ekzaminimi i këtyre mbetjeve mortore dhe ku ka filluar edhe marrja e mostrave dhe dërgimi i tyre për analizat e ADN-së. Deri tash mund t’ju konfirmoj që kemi çuar të paktën 10 mbetje kockore, pra në laboratorin e ADN-së në Hagë dhe shpresojmë që shumë shpejt do të kemi edhe rezultatet e para dhe tek atëherë mund të flasim se për kë bëhet fjalë”, tha Hyseni.
Anëtari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka dhënë detaje për tri lokacionet dhe numrin e mbetjeve mortore të gjetura.
“Lokacioni aktual ose vendi ku gjendemi aktualisht është lokacioni i parë i varrit masiv, meqë siç u potencua edhe nga kolegët janë edhe dy lokacione të tjera, pra dy varre masive në këtë zonë. Lokacioni i tretë i varrit masiv bie diçka 300 metra, po, distancë nga lokacioni aktual. Ndërsa lokacioni i dytë i varrit masiv bie të jetë diku rreth 1 kilometër distancë, flas gjithmonë me vijë ajrore, pra përkatësisht në fshatin Jabukë. Këtë lokacion, siç u potencua edhe nga kolegët e policisë, po edhe kolegët e komisionit po edhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, edhe siç e kemi bërë publike edhe në komunikimin që kemi pasur me media, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të 13 personave ose të paktën minimumi 13 individëve. Po e them gjithmonë të paktën si minimumi, meqë zyrtarisht do të përcaktohet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore pasi të përfundojnë të gjitha procedurat në kuptim të ekzaminimit mjekoligjor dhe në kuptim të identifikimit përmes analizave të ADN-së”, tha Gara.
Procesi i gërmimeve në dy fshatrat në Zubin-Potok nisi më 28 korrik 2026.
Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona, J. R., M. J. dhe M. B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit.
Në Kosovë konsiderohen të zhdukur edhe rreth 1 mijë e 560 persona nga lufta e fundit.

Pacolli: 7 gurthyesve u ndalohen punimet, ndërsa 3 të tjerë gjobiten me 7 mijë €
Sot mbahet provimi i Maturës
Kufizohet qarkullimi i kamionëve mbi 20 tonë për shkak të temperaturave
Fetoshi: Glorifikimi i Mlladiqit nga Serbia dëshmon vazhdimësinë e politikës së Millosheviqit
Hoti: Në Serbi kriminelët e luftës vazhdojnë të glorifikohen
Nënshkruhet “Arsimi 2035+”, nis hartimi i strategjisë së re 10-vjeçare
U godit nga vetura, vdes këmbësori në Llabjan të Novobërdës