Prishtinë, 28 gusht 2026 14:14
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Glauk Konjufcës në rigjykimin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, raporton Ekonomia Online.
“I pandehuri Glauk Konjufca lirohet nga akuza”, tha gjykatësja Edita Çanta.
Konjufca akuzohej për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës gjatë një mbledhjeje në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk ishte provuar se kishte kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Ndërsa, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, për të cilën kishte arritur parashkrimi, akuza ishte refuzuar. Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte rrëzuar vendimin e Themelores dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Ndryshe, në seancën e 25 tetorit 2023, gjykatësja Edita Çanta kishte bërë të ditur se Konjufcës i ishte parashkruar vepra penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Glauk Konjufcës, duke e ngarkuar me dy vepra penale. Sipas aktakuzës, Konjufca më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së një mbledhjeje në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në cilësinë e deputetit, kishte hedhur gaz lotsjellës në sallë.
Në aktakuzë thuhej se si pasojë e gazit lotsjellës, pjesëmarrësit ishin detyruar të braktisnin sallën, pasi qëndrimi i tyre ishte pamundësuar nga tymi i shkaktuar nga gazi.Konjufca akuzohej për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 i Kodit Penal, e cila parashihte dënim me burgim prej një deri në tetë vjet.
Ndërsa, me dispozitivin e dytë të aktakuzës, ai akuzohej se gjatë përdorimit të gazit lotsjellës kishte penguar personat zyrtarë, përfshirë kryetarin e atëhershëm të Kuvendit, Kadri Veselin, dhe deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, në kryerjen e detyrave zyrtare. Për këtë vepër, Konjufca akuzohej për “Pengimin e personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, sipas nenit 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila dënohej me burgim prej tre muajsh deri në tre vjet.

Maqedonci bisedoi ne Atienza-n për sigurinë dhe koordinimin me NATO-n
Pas aktgjykimit lirues për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, Kryeprokurori kërkon raport nga Prokuroria e Pejës
Në Kalludër kujtohen të zhdukurit, institucionet vizitojnë varrin masiv
Propaganda në Beograd ashpërsohet para verdiktit të Hagës
Kurti: Zbardhja e fatit të të zhdukurve, i hapë rrugë kërkimit të drejtësisë
Në shenjë respekti dhe nderimi për viktimat”, në Kalludër të Zubin Potokut do të vizitohet varri masiv
Ministria e Infrastrukturës investon mbi gjysmë milioni për rrugët e komunës së Gjilanit
Konjufca shpallet i pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend
Akil Gjakova fiton me hedhje të bukur