Prishtinë, 28 gusht 2026 07:55
Ndërsa 16 shtatori po afrohet dhe procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë po i afrohet momentit të vendimit, në Beograd është intensifikuar fushata mediale dhe politike kundër UÇK-së.
Narrativat e vjetra që e paraqesin luftën çlirimtare të Kosovës si një “ndërmarrje kriminale” po rikthehen në diskursin publik serb, ndërsa mediat shtetërore po u kushtojnë hapësirë të konsiderueshme deklaratave që lidhen me zhvillimet në Kosovë dhe me komunitetin serb.
Një prej figurave që ka folur së fundmi për këtë çështje është Milovan Drecun, i njohur për mbledhjen dhe promovimin e materialeve kundër UÇK-së dhe aktualisht në krye të Komisionit për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme në Kuvendin e Serbisë.
Drecun ka pretenduar se një vendim fajësues ndaj ish-krerëve të UÇK-së mund të shkaktojë zemërim të shqiptarëve ndaj serbëve në Kosovë, veçanërisht ndaj atyre që jetojnë në veri.
Analistët në Kosovë e shohin këtë qasje si pjesë të një strategjie propagandistike të Beogradit, përmes së cilës synohet krijimi i një perceptimi se çdo vendim i mundshëm i gjykatës në Hagë mund të ketë pasoja destabilizuese në Kosovë.
Gurakuq Kuçi nga Instituti “Octopus” thotë se Serbia ka aktivizuar një pjesë të konsiderueshme të mediave vendore, por edhe kanale të ndryshme të komunikimit jashtë vendit, për të ndikuar në perceptimin publik rreth procesit gjyqësor në Hagë.
Sipas tij, synimi është që të krijohet një narrativë sipas së cilës çdo vendim që mund të çojë në lirimin e ish-krerëve të UÇK-së do të paraqitej si vendim “kundër të drejtave të njeriut, pro terroristëve dhe kundër Serbisë”.
Në të njëjtën linjë, kjo fushatë shihet edhe si përpjekje për të krijuar frikë dhe pasiguri duke paraqitur komunitetin serb në Kosovë si të rrezikuar nga zhvillimet që mund të pasojnë vendimin e gjykatës.
Fatmir Sopi, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, i ka cilësuar këto pretendime si propagandë.
“Kanë qenë pozita shumë të larta shtetërore kur janë garantuar të gjitha të drejtat për serbët dhe nuk ka pasur asnjë telashe asnjë serb sa i përket pushtetit dhe shtetit tonë të drejtë dhe demokratik. Prandaj kjo është propagandë shumë e shëmtuar dhe propagandë e keqe”, ka deklaruar Sopi.
Ndërkohë, teksa 16 shtatori po afrohet, vëmendja mbetet e përqendruar te vendimi i pritshëm në Hagë. Në Beograd, ndërkaq, retorika politike dhe mediale ndaj UÇK-së duket se po intensifikohet, duke e rikthyer procesin gjyqësor në qendër të betejës së vazhdueshme politike dhe propagandistike mes Kosovës dhe Serbisë.

Më 17 nëntor vendimi për Thaçin në rastin e pengimit të drejtësisë
Vrasje, dëbime dhe spastrim etnik: Prokuroria ngrir aktakuzë për krime lufte në Zveçan
Kurti: Serbia fsheh krimet dhe mbron kriminelët, duhet trysni ndërkombëtare
Gjykimi për spiunazh, Prokuroria: Shabani tentoi ta lidhte spitalin e UÇK-së në Mollopolc me “Shtëpinë e Verdhë”
Akuzat për spiunazh, Prokuroria: Shabani dhe Qerimi bashkëpunuan me BIA-n
Jagxhiu: Internet falas në 43 lokacione publike në 33 komuna të Kosovës
Kurti: Partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet prioritet i Kosovës
Maqedonci: Serbia mbetet kërcënim për sigurinë e Kosovës