Prishtinë, 15 gusht 2026 20:40
Kanë përfunduar dy ndeshjet e radhës në kuadër të xhiros së parë në elitën e futbollit tonë.
Malisheva e ka nisur furishëm sezonin e ri duke e mposhtur bindshëm në udhëtim Vushtrrinë, me rezultat 1-6, të shtunën pasdite.
Mysafirët e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e gjashtë. Krenar Dulaj ishte ai që realizoi për 1-0 dhe i dha avantazhin skuadrës së Malishevës.
Vendasit nuk arritën të reagojnë, ndërsa Malisheva vazhdoi të kontrollonte lojën dhe në minutën e 32-të gjeti edhe golin e dytë. Kreshnik Uka realizoi, por fillimisht goli u anulua për pozicion jashtë loje. Pas ndërhyrjes së VAR-it, vendimi u ndryshua dhe goli u akordua.
Në pjesën e dytë, Malisheva e ktheu ndeshjen në një festival golash. Dreni Kryeziu shënoi për 3-0 në minutën e 52-të, ndërsa Uka realizoi edhe golin e dytë personal 12 minuta më vonë.
Dominimi i mysafirëve vazhdoi dhe në minutën e 71-të Laurent Xhylani shënoi për 5-0, duke e bërë rezultatin edhe më të thellë.
Goli i gjashtë erdhi nga Mark Bushaj, i cili vulosi një paraqitje fantastike të Malishevës dhe një fitore bindëse në startin e kampionatit.
Vushtrria arriti të shënojë vetëm në minutën e 86-të, duke ngushtuar rezultatin në 6-1, që ishte edhe shifrat përfundimtare të takimit.
Ndërkaq, Drenica dhe Dukagjini e kanë nisur me barazim edicionin e ri, pasi në përballjen e javës së parë nuk pati gola dhe takimi përfundoi 0-0.
Të dyja skuadrat zhvilluan një ndeshje të luftuar, duke krijuar mundësi për të shënuar, por mungesa e konkretizimit në fazën sulmuese bëri që rrjetat të mbeteshin të paprekura.
Dukagjini pati një epërsi të lehtë në posedimin e topit, por nuk arriti ta shndërrojë këtë avantazh në raste të mjaftueshme për të rrezikuar seriozisht portën kundërshtare.
Në anën tjetër, Drenica ishte më e rrezikshme në tentativat drejt portës. Skuadra nga Skenderaj regjistroi katër goditje në kuadrat, ndërsa Dukagjini arriti të godasë vetëm një herë në portë.
Megjithatë, portierët e të dyja skuadrave u treguan të sigurt dhe shmangën golat, duke bërë që rezultati të mbetej i pandryshuar deri në fund.
Me nga një pikë të fituar, Drenica dhe Dukagjini e nisin sezonin pa humbje, por edhe me një paraqitje që u lë hapësirë për përmirësim në javët e ardhshme.

Dy sfida për tri pikët, Superliga vazhdon sot
RTK dhe KOK nënshkruajnë marrëveshje për ‘Taranto 2026’
Drita avancon në plejofin e Ligës së Konferencës
Drita kërkon sot kualifikimin në “play-off” ndaj Tre Fiorit
PSG – Aston Villa, finalja e Superkupës së Evropës
Kosova sfidon Italinë në duelin e parë të Lojërave Mesdhetare
Dorëzohet i kërkuari nga policia, Vezir Haziraj
MPJD: Shtetasit të Kosovës, Dukagjin Maxhuni i caktohen 30 ditë paraburgim në Beograd
Basha nënshkruan marrëveshjet me AAC dhe EASA