Prishtinë, 8 gusht 2026 07:10
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndërmarrë masa ndaj Qumështores VITA pas kontrolleve zyrtare dhe rezultateve laboratorike të Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës.
Sipas AUV-së, gjatë kontrolleve janë konstatuar gjithsej 12 produkte të paraqitura dhe të tregtuara si produkte me përmbajtje shtazore, të cilat kanë rezultuar jokonforme për shkak të pranisë së vajit të palmës, qumështit pluhur dhe/ose niseshtes së padeklaruar. Për këto produkte është urdhëruar tërheqja nga tregu.
Gjetja më serioze, sipas autoriteteve, lidhet me produktet e deklaruara si qumësht. Katër mostra të katër produkteve të shitura dhe të deklaruara si qumësht kanë rezultuar jokonforme. Dy prej tyre kanë përmbajtur vaj palme, ndërsa në dy të tjera është konstatuar prani e qumështit pluhur, përbërës që, sipas AUV-së, nuk ishte deklaruar për konsumatorët.
AUV thekson se këto produkte janë prodhuar në të njëjtin objekt dhe në kuadër të aktivitetit të aprovuar për prodhimin dhe përpunimin e qumështit.
Nga produktet e qumështit të analizuara, vetëm një markë ka rezultuar pa prani të vajit të palmës dhe qumështit pluhur dhe nuk është cilësuar jokonforme. Megjithatë, për shkak se prodhohet në të njëjtin objekt dhe në të njëjtën linjë ku janë evidentuar mospërputhjet, AUV ka vendosur këtë produkt nën mbikëqyrje të shtuar dhe ritestim të vazhdueshëm.
Kontrollet kanë evidentuar edhe 26 produkte me përmbajtje bimore, të cilat janë prodhuar jashtë fushëveprimit të aprovimit të operatorit. Për këtë aktivitet është urdhëruar ndalimi i prodhimit deri në marrjen e aprovimit përkatës nga AUV.
Sipas raportit, bëhet fjalë edhe për një aktivitet me bazë yndyre bimore dhe proteine qumështi, për të cilin gjatë kontrollit nuk ishte paraqitur autorizimi i posaçëm.
Masat e ndërmarra nga AUV përfshijnë tërheqjen nga tregu të 12 produkteve jokonforme, mbikëqyrjen e shtuar dhe ritestimin e vazhdueshëm të linjës së prodhimit të qumështit, si dhe ndalimin e prodhimit të 26 produkteve të prodhuara jashtë aprovimit.
Gjithashtu, AUV ka ndaluar paraqitjen mashtruese të produkteve dhe ka pezulluar lëshimin e certifikatave veterinare deri në eliminimin e mospërputhjeve të evidentuara.
Rasti vë në fokus kontrollin e përbërjes dhe deklarimit të produkteve ushqimore, veçanërisht atyre që konsumatorëve u paraqiten si produkte të qumështit, ndërsa autoritetet kanë kërkuar respektimin e kërkesave ligjore për sigurinë, cilësinë dhe informimin e saktë të konsumatorit.

Pas 15 muajsh në burgun e Serbisë, lirohet Behar Preniqi nga Obiliqi
Kosova dhe Banka Botërore nënshkruajnë marrëveshje për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale
Në Prilluzhë qytetari hedh në shitje shtëpinë për shkak të korrupsionit të Listës Serbe
Lidhjet e “Alta Bank” me Milan Radoiçiçin dhe Zvonko Veselinoviqin
Strategjia për Apelin në Hagë, Konjufca: Nuk do të bëhen publike diskutimet
22 persona arrestohen në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm në Prizren, Suharekë dhe Dragash
Forcohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri në operacionet e kërkim-shpëtimit