Prishtinë, 31 korrik 2026 21:27
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka kryer të premten një bastisje në Zubin Potok në kuadër të hetimeve për rastin e dy personave të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999, thuhet në komunikatën e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Kosovës, përcjell Veritasinfo.
Sipas komunikatës, bastisja është realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore në lokacionin e të dyshuarit me inicialet M.J., i cili ishte arrestuar më 28 korrik 2026 së bashku me të dyshuarin tjetër, M.B.
Gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar prova materiale, të cilat, sipas tyre, dëshmojnë se M.J. kishte qenë i mobilizuar dhe pjesë aktive e ish-Armatës Jugosllave gjatë periudhës së luftës.
Dy të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, të sanksionuar sipas nenit 142 të Kodit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, lidhur me ngjarje të ndodhura në Mitrovicë gjatë vitit 1999.
Policia e Kosovës bëri të ditur se hetimet janë duke vazhduar nga ekipet relevante, duke theksuar se në bashkëpunim me organet e drejtësisë mbetet e përkushtuar në trajtimin e të gjitha rasteve penale, përfshirë edhe ato që lidhen me krimet e luftës.

Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Nis hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, nëntë ditë pas ngjarjes
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë