Prishtinë, 31 korrik 2026 21:18
Një plagë e vjetër e luftës ka rihapur operacionet e sigurisë dhe të drejtësisë në veri të vendit. Në fshatin Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, autoritetet e Kosovës kanë hyrë në ditën e katërt të gërmimeve intensive në një varrezë të dyshuar masive. Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Prokuroria Speciale tashmë kanë konfirmuar gjetjen e mbetjeve të para mortore me origjinë njerëzore dhe pjesëve të veshmbathjes.
Dyshimet e para të institucioneve dhe familjarëve rëndojnë mbi fatin e “Grupit të Intelektualëve të Mitrovicës”, 23 mjekë, profesorë e aktivistë të zhdukur me dhunë nga forcat serbe në prill të vitit 1999.
Edhe këtë të premte në Kalludër të Zubin Potokut, puna për gjetjen e mbetjeve mortore po vazhdon pa ndërprerje. Në këtë zonë, ku dyshohet se fshihet një varrezë masive nga lufta në Kosovë, ekipet përgjegjëse po gërmojnë në vazhdimësi me shpresën se çdo gjurmë e re do të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Pas gjetjes së disa mbetjeve mortore, kërkimet po zgjerohen në pjesë të tjera të këtij lokacioni.
Sipas dyshimeve fillestare, në këtë lokacion mund të jenë mbetjet mortore të grupit të njohur si “intelektualët nga Mitrovica”, të cilët rezultojnë të zhdukur që nga 19 prilli 1999
Aty ku po kryhen gërmimet prezent gjate ditëve kanë qene krerët më të lartë të shtetit. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, gjatë vizitës në ditën e enjte tha se nuk mund të ketë paqe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për sa kohë kemi varre të fshehta, arkiva të mbyllura e mohim të së vërtetës.
E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social X, ka thënë se pengimi i vazhdueshëm nga Serbia i përpjekjeve për të zbardhur fatin e këtyre njerëzve të pafajshëm nuk do ta ndalë Republikën e Kosovës në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë..
Ai ka thënë se mbeten të palëkundur në përkushtimin tonë për të gjetur çdo person të zhdukur, për të zbuluar çdo varrezë të fshehur dhe për t‘i vënë para përgjegjësisë ata që janë përgjegjës, në mënyrë që familjet e të zhdukurve të gjejnë më në fund një masë paqeje dhe ngushëllimi.
Identifikimi i mbetjeve mortore dhe konfirmimi përfundimtar do të bëhen vetëm pas përfundimit të procedurave të zhvarrimit dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore.

Bastisje në veri për krime lufte: Sekuestrohen dëshmi ndaj të dyshuarit, si pjesëtar i ish-armatës jugosllave
Gjendet municion në varrezën masive në Zubin-Potok
Investim prej 3.7 milionë eurosh për modernizimin e rrugës Livadhet e Istogut–Mokna
Kurti emëron një ish-ushtar të UÇK-së, në krye të Komisionit për Persona të Zhdukur
Serbia arreston një person për zbulim të informatave për varreza masive, Hoti: E vërteta nuk fshihet
Nis gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte në Reçak
Varreza masive në Zubin Potok, zbardhen dëshmitë e para të krimit serb ndaj shqiptarëve