Prishtinë, 29 korrik 2026 10:18
Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, ka rikujtuar gërmimet e zhvilluara dhjetë vjet më parë në kërkim të 23 intelektualëve të Mitrovicës, pas lajmit për gjetjen e mbetjeve mortore në Zubin Potok, të cilat dyshohet se mund t’u përkasin viktimave të zhdukura gjatë luftës.
Në një postim në facebook, Blakaj ka bërë të ditur se më 4 gusht 2016, në cilësinë e prokurorit të Prokurorisë Speciale, kishte udhëhequr një aksion kërkimi në fshatin Mala Jabuka në Zveçan, në një periudhë të karakterizuar nga tensione në veri të Kosovës, transmeton Veritasinfo.
“Me datën 4 gusht 2016, si prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, së bashku me një grup bashkëpunëtorësh nga IML-ja, tre hetues të krimeve të luftës, një përfaqësues të Komisionit Qeveritar dhe dy përfaqësues të kompanisë ‘Loti’, në një atmosferë tensioni në pjesën veriore, saktësisht në fshatin Mala Jabuka në Zveçan, kishim kryer gërmime për gjetjen e mbetjeve mortore të 23 intelektualëve të zhdukur më 19 prill 1999”, ka shkruar ai.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, Blakaj thekson se gërmimet e realizuara më 28 korrik 2026 në Zubin Potok kanë sjellë një zhvillim të rëndësishëm, pasi janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se mund t’u përkasin 23 intelektualëve të Mitrovicës, të vrarë gjatë luftës.
Sipas tij, rëndësi të veçantë ka që hetimet të mos ndalen vetëm te zbulimi i mbetjeve mortore, por të përfundojnë me ngritjen e aktakuzave.
“Është tepër e rëndësishme që hetimi, përkatësisht për këtë rast por edhe për rastet tjera, të materializohet dhe të konfirmohet me aktakuzë, sepse kjo është mënyra më e mirë për ta dëshmuar qëllimin e aparatit shtetëror serb për ta zhdukur popullatën civile shqiptare”, ka deklaruar ai.
Blakaj ka shtuar se përgjigjja më e mirë ndaj përpjekjeve për të fshehur krimet e luftës është puna e koordinuar e institucioneve të drejtësisë.
“Përgjigjja më e mirë ndaj propagandës serbe, e cila ka fshehur gjurmët e krimeve të luftës, si dhe vazhdimisht ka strehuar dhe mbrojtur të dyshuar dhe të dënuar për krime të luftës, është puna e përbashkët dhe përkrahja e të gjitha institucioneve ligjzbatuese, në mënyrë që të kemi rezultate që përfundojnë me aktgjykime dënuese”, ka përfunduar Blakaj.

Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Sekuestrohen armë zjarri në Zubin Potok, arrestohen dy persona
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari