Prishtinë, 24 korrik 2026 12:05
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se ish-gjyqtarë, ish-prokurorë serbë dhe pjesëtarë të stafit administrativ mbështetës kanë përfituar mjete financiare nga Serbia edhe gjatë kohës sa kanë ushtruar funksione në institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Në një konferencë për media, Haxhiu tha se, sipas të dhënave që ka në dispozicion, këto pagesa janë bërë që nga viti 2017 dhe kanë vazhduar edhe më pas.
“Referuar të dhënave që kam në dispozicion, ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët serbë, sikurse edhe stafi mbështetës administrativ, kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë financiarisht nga Serbia. Pjesa dërmuese e tyre kanë pranuar dhe vazhdojnë të pranojnë mjetet financiare në forma të ndryshme nga Serbia që nga viti 2017 e deri më tani”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka pretenduar se disa prej tyre kanë vepruar në kundërshtim me interesat e institucioneve të Kosovës, duke përmendur pjesëmarrje në aktivitete dhe veprime kundër zbatimit të rendit dhe ligjit në veri.
“Lojaliteti i dëshmuar për Serbinë është shpërblyer edhe me mjete financiare në kohën kur është pritur që të njëjtit të ushtrojnë mandatin e tyre ndaj të gjithë qytetarëve referuar ligjeve dhe interesave të Republikës së Kosovës”, është shprehur Haxhiu.
Sipas saj, ndërhyrjet nga Serbia kanë ndikuar në funksionimin e sistemit të drejtësisë në veri të vendit, ndërsa ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të veprojë lidhur me ish-zyrtarët që kanë dhënë dorëheqje.
Haxhiu ka theksuar se lirimi nga detyra i disa ish-prokurorëve nuk ka ndodhur për shkak të përkatësisë së tyre etnike, por për shkak të dorëheqjeve të tyre.
“Unë nuk i kam liruar nga detyra sepse janë nga komuniteti serb; janë liruar nga detyra për shkak të dorëheqjeve të tyre që i kanë bërë pas presionit të Serbisë dhe pas presionit të Vuçiçit”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka shtuar se sistemi i drejtësisë nuk mund të funksionojë me zyrtarë që, sipas saj, ndikohen nga një shtet tjetër.

Ramadan Morina sërish deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për pjesëmarrje në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës
Ngrihet aktakuzë për keqpërdorim e mashtrim në prokurimin publik dhe falsifikim të dokumentit
Procedurat e Apelit që duhen ndjekur mbrojtjet e ish-krerët e UÇK-së
Protestuesit përleshen me policinë para objektit të Qeverisë
Hamza: Vendimi ndaj krerëve nuk u bë në emër të popullit, por kundër shtetit të Kosovës
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është padrejtësi e papranueshme
Joseph: Serbia, Rusia dhe Kina do të përpiqen ta izolojnë edhe më shumë Kosovën
Nga mediat ruse te portalet serbe në Kosovë – si përhapet lufta hibride?