Prishtinë, 20 korrik 2026 13:45
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e së hënës vendosi për refuzimin e kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës të komunitetit serb në Prokurorinë e Mitrovicës.
KPK-ja dërgoi tek ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, emrat e pesë prokurorëve për lirim nga detyra.
Po ashtu, në këtë takim Këshilli shfuqizoi vendimin për pezullimin e pagave për prokurorët dhe stafin mbështetës serb.
Për refuzimin e tërheqjes së dorëheqjeve të ofruara nga prokurorët dhe stafi mbështetës serb votuan katër anëtarët: Dardan Vuniqi, Visar Krasniqi, Elza Bajrami-Kastrati dhe Arlinda Muqa. Ndërkaq kundër votuan: kryesuesi Arian Gashi, kryeprokurori i Shtetit – Zejnulla Gashi dhe anëtari Milot Krasniqi.
Deri te ky vendim erdhi me propozim të zëvendëskryesuesit të KPK-së, Dardan Vuniqi.
Kryesuesi Arian Gashi propozoi që për këtë çështje të diskutohet në takimet e radhës, me arsyetimin se duhet konsultim me Këshillin Gjyqësor.
Në anën tjetër, anëtarja Arlinda Muqa tha se kthimi i prokurorëve dhe stafit mbështetës serb, mund të ndodh vetëm nëse i nënshtrohen procedurave të rekrutimit. Propozoi që të mbështetet propozimi i Vuniqit që të refuzohen tërheqjet e dorëheqjeve dhe të dërgohen te Presidentja për lirim nga detyra.
Gjithashtu, edhe anëtarja Elza Bajrami-Kastrati tha se nuk vlerëson se ka dicka për t’u diskutuar, duke shtuar se secili dha mendimin e vet, andaj propozoi që të vazhdohet me votim.
Propozimin e Vuniqit e përkrahu edhe anëtari Visar Krasniqi.
Më pas, me katër vota për, u miratua propozimi që të refuzohen tërheqjet e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe stafit mbështetës, si dhe të dërgohen tek Presidentja për lirim nga detyra.
Po ashtu, u shfuqizua vendimi për pezullimin e pagave të tyre, vendim i cili ishte marrë nga KPK-ja kur të njëjtit kishin ofruar dorëheqjet.

Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Nis hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, nëntë ditë pas ngjarjes
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Spajiç kërkon hetim parlamentar për ndikimin e mundshëm të Serbisë në mediat dhe bizneset e Malit të Zi