Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, ka njoftuar se autoritetet në Prishtinë, me urdhër të drejtpërdrejtë të Albin Kurtit, kanë arrestuar mbrëmë dhe mëngjesin e sotëm tre pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe një polic të pensionuar në pikat kufitare, pa asnjë bazë apo arsye, por ekskluzivisht, siç ka theksuar ai, si një formë e hakmarrjes politike të motivuar kundër popullit serb.
“Mbrëmë në Bërnjak janë arrestuar pjesëtari i MPB-së, N. V. (26 vjeç), si dhe M. S. (53 vjeç), një polic i pensionuar, ndërsa sot në Jarinjë është arrestuar M. M. (28 vjeç), gjithashtu pjesëtar i MPB-së, dhe në pikën kufitare në Konçul, Prishtina ka arrestuar edhe A. M. (36 vjeç), po ashtu pjesëtar i MPB-së së Serbisë,” ka njoftuar Petkoviq.
Ai theksoi se të gjithë këta persona, së bashku me familjet e tyre, prej vitesh jetojnë në mënyrë të qetë në Kosovë dhe detyrat e tyre i kryejnë në drejtoritë policore në territorin e Serbisë qendrore.
“Aktualisht ata ndodhen në paraburgim dhe Zyra për Kosovë do t’u ofrojë të gjithëve ndihmë juridike falas. Për ndalimin e tyre të paligjshëm, do të informojmë përmes kanaleve diplomatike të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, si dhe ndërmjetësin në dialog, Peter Sorensen,” ka deklaruar Petkoviq.
Ai shtoi se Kurti dhe Sveçla kanë marrë vendim për dëbimin e paligjshëm të N. V., gjë që, sipas tij, përbën një precedent të paprecedentë dhe një hap të papërgjegjshëm të autoriteteve në Prishtinë. Sipas tij, kjo “valë e re represioni” do të ketë pasoja të rënda dhe të rrezikshme për procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe është ndërmarrë me qëllim të tensionimit dhe ngritjes së përplasjeve ndëretnike.
Petkoviq kujtoi se dje është ngritur aktakuzë ndaj anëtarit të Presidencës së Listës Serbe, Slavko Simiq.
“Bëhet fjalë për një aktakuzë të montuar politikisht, që është pjesë e përpjekjes për të kriminalizuar luftëtarët e vërtetë për interesat e popullit serb, si dhe përpjekjes për ndalimin e Listës Serbe — që është një obsesion personal i Albin Kurtit. Slavko Simiq, ashtu si të gjithë serbët e ndershëm në Kosovë, është pengesë për pushtetin në Prishtinë, sepse për të interesat e popullit serb janë mbi gjithçka dhe ai asnjëherë nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë shantazhet e Kurtit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Sulmi ndaj tij është sulm ndaj çdo serbi që e ka serbizmin në zemër,” ka përfunduar Petkoviq.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”