Prishtinë 19 korrik 2026 12:34
Publicisti serb, Zlatoje Martinov, thotë se deklarata skandaloze e ministres serbe për spastrim etnik të Kosovës në vitin 1998, nuk është sulmi në Banjskë, por shembulli më tipik i një politike të vazhdueshme dhe të dhunshme.
Martinov në një intervistë për gazetën “Bota sot”, thotë se Vuçiq mbetet Vuçiq edhe kur vishet me lëkurën e qengjit.
“Kur e dimë këtë, nuk është aspak çudi që ministrja i kërkoi falje Vuçiqit, sepse, sipas saj, ia prishi imazhin e një “paqebërësi” në sytë e BE-së dhe SHBA-së, imazh që ai përpiqet ta ndërtojë me shumë sukses – dhe, fatkeqësisht, në masë të madhe edhe po ia del”, thotë Martinov.
Ai veprimet e Kosovës ndaj ministres serbe i sheh normale, sipas tij, është e rëndësishme që diplomacia e Kosovës ta shfrytëzojë maksimalisht këtë deklaratë te aleatët e saj.
Martinov në intervistë flet edhe rreth dialogut strategjik SHBA- Serbi dhe ndikimit të tij në Kosovë.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, deklaroi se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998. Si e komentoni këtë deklaratë dhe faktin që ajo nuk u kërkoi falje shqiptarëve, por i kërkoi falje presidentit Aleksandar Vuçiq për problemet politike që, sipas fjalëve të saj, ia kishte shkaktuar?
Zlatoje Martinov: Deklarata e ministres Snezhana Paunoviq është në vazhdën e politikës serbe ndaj Kosovës, e cila zgjat pak a shumë tash e 40 vjet. Pra, ekziston një vijimësi në politikën e Serbisë ndaj Kosovës, të cilën kjo ministre e Ivica Daçiqit vetëm sa e zhvesh nga maska.
Askush të mos mashtrohet – Aleksandar Vuçiq, pavarësisht Marrëveshjeve të Brukselit, asnjëherë nuk ka hequr dorë nga politika radikale, e trashëguar nga Vojisllav Shesheli, ndaj Kosovës. Kjo duhet të jetë e qartë si për politikanët në Kosovë, ashtu edhe për ata në Bashkimin Evropian. A nuk është sulmi në Banjskë shembulli më tipik i një politike të tillë të vazhdueshme dhe të dhunshme? Një politikë që nga jashtë është lyer me frazat diplomatike të Vuçiqit për “paqen dhe bashkëpunimin”.
Vuçiq mbetet Vuçiq, edhe kur vishet me lëkurën e qengjit.
Kur e dimë këtë, nuk është aspak çudi që ministrja i kërkoi falje Vuçiqit, sepse, sipas saj, ia prishi imazhin e një “paqebërësi” në sytë e BE-së dhe SHBA-së, imazh që ai përpiqet ta ndërtojë me shumë sukses – dhe, fatkeqësisht, në masë të madhe edhe po ia del.
“Bota sot”: Kosova e ka shpallur ministren serbe person non grata, ndërsa ndaj saj është dorëzuar edhe kallëzim penal. Si i vlerësoni këto veprime të institucioneve të Kosovës? A mendoni se edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë ose të ndërmarrë masa ndaj retorikës që konsiderohet nxitje e urrejtjes dhe relativizim i krimeve të së kaluarës?
Zlatoje Martinov: Pas një deklarate të tillë ishte krejtësisht e pritshme që institucionet e Kosovës të reagonin. Kjo është krejt normale. Institucionet e drejtësisë kanë paraqitur kallëzim penal, ndërsa Qeveria e ka shpallur atë persona non grata.
Ajo që është edhe më e rëndësishme është se diplomacia e Kosovës duhet ta shfrytëzojë maksimalisht këtë deklaratë te aleatët e saj, për të rrëzuar pretendimet e Serbisë zyrtare se “nuk ka pasur spastrim etnik në Kosovë gjatë viteve 1998–1999”.
Deklarata e ministres se Millosheviqi nuk e kishte “përfunduar punën e spastrimit të Kosovës nga shqiptarët” dhe se ajo do ta kishte bërë këtë “më mirë”, është pikërisht dëshmi se spastrimi etnik dhe vrasjet e shumta të civilëve shqiptarë kanë ndodhur.
Bashkësia ndërkombëtare (BE-ja dhe Britania e Madhe) reagoi me deklarata se “deklarata të tilla janë të papranueshme”, dhe me shumë gjasë aty do të përfundojë gjithçka, si gjithmonë.
Evropa dhe bota e “gëlltitën” edhe rastin e Banjskës, ku pati të shtëna dhe viktima. Përveç deklaratave të pafrytshme dhe dënimeve verbale, Vuçiqit jo vetëm që nuk iu bë asgjë, por, siç pamë, pak ditë më parë ishte në Paris në ceremoninë e Ditës Kombëtare të Francës, madje i ulur në rreshtin e parë pranë Emmanuel Macronit.
Në Kiev, gjatë takimit të liderëve të Evropës Juglindore, ai refuzoi ta nënshkruante deklaratën e përbashkët që dënonte Rusinë dhe parashihte mbështetje materiale e ushtarake për Ukrainën. Po ashtu refuzoi të vendoste kurora me lule dhe të bënte homazhe për viktimat ukrainase të agresionit rus.
Megjithatë, pavarësisht kritikave të Parlamentit Evropian, Komisioni Evropian dhe Ursula von der Leyen vazhdojnë ta konsiderojnë Vuçiqin “faktor paqeje dhe stabiliteti”, me shpresën se do ta largojnë nga ndikimi rus. Por nuk e kuptojnë se kjo është e pamundur, sepse Vuçiq mbetet rusofil, ashtu si mentori i tij politik dhe ideologjik, Vojisllav Shesheli.
“Bota sot”: Deri në çfarë mase mund të ndikojnë deklarata të tilla në përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në një kohë kur pritet vazhdimi i dialogut?
Zlatoje Martinov: Deklarata të tilla të ministres serbe jo vetëm që nuk kontribuojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por përkundrazi i tensionojnë edhe më shumë ato.
“Bota sot”: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Serbia kanë nisur Dialogun Strategjik. Si e vlerësoni këtë zhvillim dhe a mund të ketë ai ndikim pozitiv apo negativ në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Zlatoje Martinov: Dialogu Strategjik ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara nuk do të kontribuojë në stabilizimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, sepse ai është konceptuar për të avancuar marrëdhëniet dypalëshe politike dhe ekonomike (sidomos tregtare) mes Serbisë dhe SHBA-së, si dhe për të mundësuar investime të gjera të kompanive amerikane në Serbi.
Vuçiq u thotë amerikanëve: investoni lirshëm në Serbi – kemi burime natyrore dhe fuqi punëtore të lirë, diçka që nuk do ta gjeni askund në rajon.
Amerika e Donald Trumpit nuk është Amerika e para vetëm 10–15 vjetësh. Demokracia, drejtësia dhe liria nuk janë më përparësitë kryesore as brenda vetë SHBA-së, e aq më pak kërkohen nga shtetet e vogla të Ballkanit.
Fatkeqësisht, në administratën aktuale mbizotëron një parim i pastër tregtar: i preferuari është ai që ofron më shumë.
Dhe pikërisht kjo, për fat të keq, është thelbi i të gjithë situatës, e cila shkon në favor të Vuçiqit.
“Bota sot”: A prisni që Uashingtoni, përmes Dialogut Strategjik me Beogradin, të ushtrojë ndikim më të madh mbi Serbinë, në mënyrë që ajo të mbajë një qasje më konstruktive ndaj Kosovës?
Zlatoje Martinov: Qeveria e Kosovës duhet ta ketë këtë parasysh, në mënyrë që të mos përballet me ndonjë surprizë të pakëndshme nga Uashingtoni. Atje nuk ka më një politikë të jashtme konsistente – gjithçka i është nënshtruar interesave të ngushta të një grupi oligarkësh amerikanë më të pasur dhe më besnikë ndaj Trumpit, një model që, sipas mendimit tim, është marrë nga Rusia e Putinit.
Kosova do të duhet të intensifikojë përpjekjet diplomatike për t’iu kundërvënë lobimit serb, në mënyrë që të mos humbasë pozitën e mirë që ka pasur deri më tani në Uashington. Ky rrezik ekziston realisht.
SHBA-ja padyshim ka interesa në Ballkan, por se kush do të përfitojë nga ato interesa do të varet nga aftësia e politikanëve të Ballkanit.
Nga kjo, dhe vetëm nga kjo, do të varet nëse dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të hyjë në një fazë më konkrete.
Disa mund ta konsiderojnë këndvështrimin tim pesimist, por rrethanat aktuale gjeopolitike në Evropë, SHBA dhe në botë nuk më lejojnë të jem optimist.

Zhduken tre persona nga Vushtrria, ishin duke udhëtuar nga Shkupi për në Kosovë – familjarët kërkojnë ndihmë për gjetjen e tyre
Vdiq gazetari Behlul Jashari
Nis qarkullimi i shpejt i mërgimtarëve në zonat kufitare
Temperaturat e larta: Kufizohet përkohësisht qarkullimi i automjeteve të rënda
Ujmani merr frymë lirshëm, natyra rikthehet pas largimit të ndërtimeve pa leje dhe zbatimit të ligjit (Video)
Rrugët e kontrabandës nga Serbia gjithnjë e më të bllokuara, Policia e Kosovës arreston një person për kontrabandë
Zekaj mposht serbin, sfidon gjermanin në garën për medalje të bronztë