Prishtinë, 18 korrik 2026 08:28
Masakrat në Abri të Epërme dhe Poklek të Vjetër me Çikatovën e Vjetër të komunës së Drenasit mbeten ndër krimet më të rënda të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Edhe pas më shumë se dy dekadash, autorët e këtyre krimeve nuk janë përballur me drejtësinë, ndërsa institucionet e Kosovës kanë riafirmuar përkushtimin për hetimin e tyre dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë.
Më 26 shtator 1998, në fshatin Abri e Epërm të Drenasit, forcat serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme të luftës. U vranë dhe u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, mes tyre gra, fëmijë dhe të moshuar, nga një foshnjë gjashtëmuajshe deri te një 94-vjeçar.
Më 25 shtator, familja ishte strehuar në mal për t’u shpëtuar sulmeve të forcave serbe, por më 26 shtator, rreth orës 10:00, këmbësoria serbe depërtoi në zonë, ku u dëgjuan të shtëna armësh dhe britma, që shënuan fundin tragjik të pjesëtarëve të kësaj familjeje.
Po atë periudhë, në Poklek të Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër të komunës së Drenasit, ushtria serbe kreu një tjetër krim makabër.
U vranë, u masakruan dhe më pas u dogjën kufomat e 77 civilëve shqiptarë të paarmatosur, nga foshnja gjashtëmuajshe deri te të moshuarit 75-vjeçarë. Vetëm në Poklek të Vjetër u vranë 53 civilë, ndërsa viktimat përfshinin fëmijë, gra, burra dhe pleq.
Pavarësisht kalimit të më shumë se dy dekadave, familjet e viktimave vazhdojnë të presin drejtësi, pasi urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtyre masakrave ende nuk janë dënuar.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë riafirmuar angazhimin e tyre për hetimin e krimeve të luftës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ilir Morina, së bashku me Drejtorin e Departamentit të Hetimeve Agron Nezaj kanë realizuar një vizitë në vendet ku u kryen masakrat, dhe janë zotuar që të vazhdojnë punën për identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë, me qëllim që viktimat dhe familjet e tyre të marrin drejtësinë e munguar prej vitesh.
Pavarësisht kohës së kaluar, çdo dëshmi dhe çdo informacion trajtohet me seriozitet të lartë, me synimin që përgjegjësit e këtyre krimeve të identifikohen, të ndiqen penalisht dhe të përballen me drejtësinë.

Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Nis hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, nëntë ditë pas ngjarjes
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Spajiç kërkon hetim parlamentar për ndikimin e mundshëm të Serbisë në mediat dhe bizneset e Malit të Zi