Preshevë, 29 Korrik 2025
Serbia është e obliguar që t’i respektojë të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane, si pjesë e procesit të integrimit evropian. Kështu ka deklaruar Marta Kos, Komisionere e Bashkimit Evropian për Zgjerim, në letrën e dërguar deputetit të vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
“Në kuadër të Kapitullit 23 ‘Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore’ të negociatave për anëtarësim, Serbia është e detyruar të zbatojë kuadrin ligjor për të drejtat e personave që i përkasin pakicave, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane,” ka thënë Kos.
Komisionerja evropiane thekson se Bashkimi Evropian po ndjek nga afër trajtimin e pakicave dhe pozitën e tyre në Serbi, duke konfirmuar se Kapitulli 23 është i rëndësishëm për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së.
“Dëshiroj t’ju siguroj se Komisioni po ndjek me kujdes trajtimin e personave që i përkasin pakicave kombëtare, përfshirë situatën e komunitetit shqiptar në Serbi, gjithashtu në kuadër të zotimeve të marra nga Serbia gjatë negociatave për anëtarësim në BE,” shkruan ajo.
Lidhur me çështjen specifike të ‘pasivizimit’ të adresave, ajo shprehet se Bashkimi Evropian ka theksuar në raportin e Paketës së Zgjerimit për vitin 2024 për Serbinë nevojën që autoritetet të sqarojnë më mirë për publikun mënyrën e verifikimit të statusit të qëndrimit, “gjë që ka rezultuar në ‘pasivizimin’ e disa adresave dhe pyetjen nëse jugu i Serbisë është veçanërisht i shënjestruar”.
Vetë Kamberi thotë se pas kësaj letre dhe reagimeve nga Këshilli Evropian, shqiptarët e Luginës po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje në institucionet e Brukselit.
Kujtojmë se javën e kaluar edhe presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, deklaroi se pakicat do të kenë rol të rëndësishëm në kuadër të angazhimeve të Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE. Ai shtoi se Këshilli i BE-së është i njoftuar hollësisht mbi çështjen e pasivizimit të adresave në Luginën e Preshevës.


Përçarja e Listës Serbe në Gracanicë: A janë të rezervuara vendet e punës në kujdesin shëndetësor për të afërmit e politikanëve nga Lista Serbe?
Bajrami: Kosova meriton më shumë nga BE-ja
Paunoviq mbron deklaratën për “spastrim etnkik” të Kosovës
Qeveria miraton nismën për aderimin e Kosovës në zonën “EU Roam Like Home”
Kurti: Formimi i institucioneve të reja është përgjegjësi e të gjitha partive politike
Haxhiu cakton 6 gushtin për seancën konstituive të Kuvendit
Ministria e Infrastrukturës: Po vazhdojnë punimet për mirëmbajtjen e autoudhës
Mbi 1 mijë aplikantë më shumë se vitin e kaluar në Universitetin e Prishtinës
Kurti: Nga 1 tetori nis faturimi i ujit në veri