E Diel 27 korrik 2025

Rusia ka rritur ndjeshëm ndikimin e saj negativ në Ballkan dhe synon destabilizimin e rajonit, paralajmëron aktivisti evropian me origjinë boshnjake, Igor Blazeviq. Në një intervistë për KosovaPress, ai thekson se prania ruse në Ballkan, për herë të parë në historinë e afërt, është serioze dhe përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë rajonale.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor ka qenë historikisht i mbrojtur nga ndikimi rus, por vitet e fundit Kremlini ka rritur prezencën dhe përpjekjet destabilizuese. “Interesi i Rusisë nuk është stabilizimi, por përkeqësimi i situatës. Në çdo moment ajo mund të nxisë tensione që mund të çojnë në konflikt të madh,” tha Blazeviq, duke e quajtur rajonin një nga më të brishtët në këtë periudhë të re të rivaliteteve globale.

Ai paralajmëron se bota po kalon një fazë të “kaosit multipolar”, ku gara për ndarjen e re të sferave të ndikimit rrit rrezikun e trazirave në rajone të ndjeshme si Ballkani. Sipas tij, Kina dhe Rusia, të mbështetura nga aleanca të tjera autoritare, po e shfrytëzojnë këtë situatë për interesa të tyre.

Blazeviq thekson tri rreziqe globale që kërcënojnë demokracinë dhe paqen: aleanca autoritare (Rusia, Kina, Irani), kleptokracia e udhëhequr nga oligarkë dhe plutokratë, si dhe një valë e re konservatore, jo-liberale dhe e ekstremit të djathtë, e cila, sipas tij, shfrytëzon edhe elemente fetare për të minuar liritë shoqërore. “Këto forca po bashkëpunojnë dhe po e sulmojnë hapur rendin demokratik botëror,” tha ai.

Luftën në Ukrainë, Blazeviq e përshkruan si një “agresion gjenocidal dhe neo-kolonial” që synon shkatërrimin e identitetit ukrainas. Sipas tij, kjo nuk është vetëm një luftë kundër Ukrainës, por një sulm ndaj Evropës dhe rendit ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore.

Duke folur për Serbinë, ai akuzon presidentin Aleksandar Vuçiq se është pjesë e kampit të Putinit. “Vuçiq ka luajtur gjatë në të gjitha anët, por realisht është në kampin rus. Tani, i ndjerë i kërcënuar brenda vendit, ai do të mbështetet edhe më shumë te Rusia dhe Kina, duke braktisur lojën e tij me Evropën,” deklaroi Blazeviq.

Ai apelon për vetëdije më të lartë dhe masa të vendosura për të mbrojtur stabilitetin rajonal dhe rendin botëror. Blazeviq thekson se rindërtimi i shoqërisë civile dhe forcimi i qëndrueshmërisë së brendshme janë më të nevojshme se kurrë.

Në fund, ai paralajmëron se situata do të mbetet e tensionuar për një kohë të gjatë dhe se demokracitë duhet të jenë të përgatitura për t’u mbrojtur nga këto kërcënime.

By US3