Prishtinë, 18 qershor 2026 13:09
Për më shumë se një dekadë, Lista Serbe është paraqitur si mbrojtësja e vetme e interesave të serbëve në Kosovë. Megjithatë, mes qytetarëve në veri po shtrohet gjithnjë e më shpesh pyetja: kush guxon sot të shprehë një mendim ndryshe?
Në veri të Kosovës është krijuar një klimë ku kritika ndaj strukturave politike shpesh perceptohet si tradhti, ndërkohë që qytetarët hezitojnë të flasin hapur për problemet që përballen, dhe si rezultat i kësaj zëri i tyre është zbehur
Ognjen Gogiq, njohës i rrethanave politike në veri të vendit dhe aktivist nga shoqëria civile, thotë se në pjesën veriore të vendit ekziston një nivel i caktuar i pluralizmit.

“Në veri të Kosovës, si në zonat e tjera serbe në Kosovë, ekziston një nivel i caktuar pluralizmi, pra liria e mendimit dhe e fjalës, pavarësisht përpjekjeve të Listës Serbe për të monopolizuar hapësirën politike. Lista Serbe nuk lejon askënd të kërcënojë dominimin e saj në institucionet politike, pra të marrë vendet që u garantohen serbëve në autoritetet lokale dhe qendrore, por përtej kësaj, nuk pengon shprehjen e pikëpamjeve të ndryshme në publik, dhe as nuk mund ta bëjë këtë. Përveç partive opozitare, ekzistojnë edhe organizatat joqeveritare serbe dhe mediat, të cilat janë shumë dinamike”, shprehet Gogiq për VeritasInfo, duke shtuar se problemi që kanë të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga Lista Serbe, është se Beogradi nuk lejon që mendimi i tyre të dëgjohet në mediat në Serbi.
“Ekziston kontroll maksimal. Megjithatë, serbët në veri të Kosovës ende informohen kryesisht përmes mediave nga Serbia. Askush nuk ka vend për këtë përveç Listës Serbe”, thotë ai në një bisedë me VeritasInfo.
Kurse, Skender Sadiku nga Iniciativa Qytetare “Mitrovica”, thotë se aty ku sundon një parti e vetme politike dhe ku i njëjti subjekt është punëdhënësi kryesor, liria e mendimit bëhet e kushtueshme.

“Një politikë që depërton në çdo pore të shoqërisë, me elemente që ngjajnë me sistemet totalitare dhe që qëndron për vite të tëra në pushtet, prodhon vetëm një të vërtetë të vetme. E në Ballkan, një e vërtetë e vetme shpesh mund të jetë fatale.Pse nuk ekziston një vullnet më i madh ndër qytetarët e veriut për t’iu kundërvënë politikës që Lista Serbe ka ndjekur prej vitesh? Çmimin e një sistemi njëpartiak e paguajnë qytetarët. Kundërshtimi i një politike të tillë shpesh duket si një “mision i pamundur”. Vetëm kur Lista Serbe të përballet me më shumë qytetarë të lirë, do të ketë më shumë liri, më shumë demokraci dhe më shumë qytetar, shprehet Sadiku për VeritasInfo.
Ndërkaq, aktivisti politik dhe anëtari i kryesisë së partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Vukmiroviq, thotë se pasoja më e sigurt është të heshtësh sesa të mbështetësh një opsion tjetër politik.

I pyetur se si politika e Listës Serbe ndikoi në mendimin e lirë pas këtyre zgjedhjeve, ai shprehet: “Mendoj se pasoja më e madhe është krijimi i një atmosfere në të cilën qytetarët i shprehin gjithnjë e më pak publikisht pikëpamjet e tyre politike. Me kalimin e viteve, është zhvilluar një ndjenjë se është më e sigurt të heshtësh sesa të mbështesësh hapur një opsion tjetër politik. Pas këtyre zgjedhjeve, problemi nuk është vetëm rezultati, por edhe fakti që një numër i madh njerëzish nuk ndihen mjaftueshëm të lirë për të folur publikisht për bindjet e tyre politike. Një shoqëri demokratike nënkupton mendime të ndryshme, jo përshtypjen se ekziston vetëm një qëndrim i pranueshëm”.
Punësimi si çështje jetike për mirëqenien e qytetarëve, është lidhur shpesh me përkatësinë apo lojalitetin politik, ndërsa profesionalizmi dhe kompetenca janë lënë në plan të dytë.
Ndërkohë që udhëheqësit politikë flasin për interesa kombëtare dhe fitore simbolike, problemet e përditshme të qytetarëve mbeten të pazgjidhura.
Të rinjtë vazhdojnë të largohen, apatia mbetet një nga sfidat kryesore, ndërsa mungesa e investimeve dhe problemet infrastrukturore rëndojnë jetën e komuniteteve lokale. Pavarësisht kësaj, kërkesat publike për llogaridhënie mbeten të pakta.
Pasoja më e madhe e një qasjeje të tillë nuk është vetëm stagnimi ekonomik apo shpërngulja e popullsisë. Më shqetësuese është humbja e besimit të qytetarëve në fuqinë e zërit të tyre.
Sot, më shumë se kurrë, veriut të Kosovës i nevojiten qytetarë që mund të shprehin lirshëm mendimin e tyre, të kritikojnë pushtetin dhe të kërkojnë llogaridhënie. Sepse një shoqëri ku zërat kritikë heshten e ku mendimi ndryshe dekurajohet, e ka të vështirë të ndërtojë një të ardhme më të mirë.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj