Prishtinë, 16 qershor 2026 19:37
Brenda debatit për zgjerimin e Bashkimit Evropian, komisionerja për zgjerim Marta Kos ka theksuar ekzistencën e një “dritare mundësie” për vendet e Ballkanit Perëndimor që të avancojnë drejt anëtarësimit, ndërsa eurodeputeti Riho Terras ka vënë theksin te rëndësia e marrjes së statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe vazhdimit të rrugës së saj evropiane.
Një momentum i ri është krijuar në procesin e zgjerimit, pasi brenda Bashkimit Evropian po shqyrtohen modalitete se si anëtarësimi i mundshëm të bëhet më atraktiv për shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Parlamenti Evropian është institucioni që gjithmonë ka mbështetur zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor. Në seancën plenare u zhvillua një debat për këtë temë, ku mori pjesë edhe komisionerja evropiane për zgjerim.
“Sot ekziston një dritare mundësie për të avancuar drejt anëtarësimit dhe ne po i inkurajojmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ta shfrytëzojnë atë. Në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, në Mal të Zi, dëgjuam angazhime të qarta nga të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor se rruga drejt BE-së është përparësia e tyre strategjike. Komisioni Evropian është i gatshëm të ecë përpara me të gjithë ata që përmbushin obligimet e tyre në reforma”, ka potencuar komesarja për zgjerim Marta Kos.
Për eurodeputetin Riho Terras është e domosdoshme që institucionet evropiane të reagojnë ndaj progresit që po shënojnë shtetet e rajonit në procesin e reformave.
“Si raportues i Parlamentit Evropian për Kosovën, është shumë e rëndësishme për mua që Kosova të fitojë statusin e vendit kandidat. Është me rëndësi të madhe që Kosova të vazhdojë në rrugën e saj evropiane dhe që mbështetja publike, që është e lartë, për integrimin evropian të vazhdojë”, ka deklaruar Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian
Ndërkohë, në gjysmën e dytë të këtij viti, liderët evropianë do të debatojnë për të ardhmen e procesit të zgjerimit. Mes ideve të reja është që shtetet aspirante të përfitojnë nga disa përparësi të anëtarësimit edhe para anëtarësimit formal në Bashkimin Evropian. Një tjetër propozim është që shtetet e reja anëtare të bllokut evropian të kenë të kufizuar të drejtën e votës gjatë një periudhe kalimtare pas anëtarësimit.

Kandiqi i reagon Daçiqit: Politika jote rezultoi me varreza masive t`shqiptarëve
Kurti emëron 27 zëvendësministra
Seancë dëgjimore për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën në Kongres, i ftuar zyrtari i State Departamentit
Kurti thirrje liderëve politikë: Ta zgjidhim çështjen e presidentit
Kurti premton pagë mesatare mbi 1 mijë euro dhe dyfishim të shtesave për fëmijë
Zgjidhet Qeveria Kurti 4
Protestuesit përleshen me policinë para objektit të Qeverisë
Hamza: Vendimi ndaj krerëve nuk u bë në emër të popullit, por kundër shtetit të Kosovës
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është padrejtësi e papranueshme