Prishtinë, 4 qershor 2026 21:24
Një ndërhyrje e rrallë dhe mjaft komplekse është realizuar me sukses në Klinikën e Stomatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku një pacienti që kishte kaluar trajtimin e kancerit të nofullës i është rikthyer funksionaliteti oral përmes një rehabilitimi të avancuar protetik.
Sipas njoftimit të Klinikës së Stomatologjisë, pacienti kishte pësuar humbje të konsiderueshme të strukturave të nofullës si pasojë e trajtimit onkologjik, duke e bërë procesin e rehabilitimit një sfidë të madhe profesionale. Rehabilitimi i pacientëve pas kancerit të nofullës konsiderohet ndër procedurat më të vështira në fushën e protetikës dhe kirurgjisë maksilofaciale.
Falë angazhimit të ekipit multidisiplinar të specialistëve, u realizua me sukses rehabilitimi protetik, duke i mundësuar pacientit rikthimin e funksioneve bazë si të ushqyerit, të folurit dhe përmirësimin e dukshëm të estetikës së fytyrës.
Ky sukses dëshmon nivelin profesional dhe kapacitetet e specialistëve vendorë për të trajtuar raste të ndërlikuara, të cilat kërkojnë ekspertizë të lartë dhe koordinim të kujdesshëm ndërmjet disiplinave të ndryshme mjekësore.
Mjekët vlerësojnë se raste të tilla jo vetëm që përmirësojnë cilësinë e jetës së pacientëve, por edhe dëshmojnë avancimin e shërbimeve stomatologjike dhe maksilofaciale në Kosovë.
Ndërhyrja konsiderohet një arritje e rëndësishme për Klinikën e Stomatologjisë, duke konfirmuar rolin e saj në trajtimin e rasteve të ndërlikuara dhe në ofrimin e shërbimeve bashkëkohore për pacientët që përballen me pasojat e sëmundjeve të rënda.

Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Nis hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, nëntë ditë pas ngjarjes
Spajiç kërkon hetim parlamentar për ndikimin e mundshëm të Serbisë në mediat dhe bizneset e Malit të Zi