Prishtinë, 23 Korrik 2025
Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte vërtetuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit për spiunazh.
“REFUZOHEN si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të akuzuarve, Bedri Shabani, av. Besnik R. Berisha dhe Muharrem Qerimi, av.Betim Shala, ndërsa aktvendimi Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special,…, i datës 20.04.2025, VËRTETOHET”, thuhet në vendimin e Apelit të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit të Apelit, ankesë ndaj vendimit të Themelores kishin paraqitur avokatët Berisha dhe Shala, me propozim që Gjykata e Apelit të hudhë akuzën ndaj dy të akuzuarve.
Për këto ankesa, Prokuroria e Apelit ka propozuar që të njëjtat të refuzohen, kurse vendimi i Themelores të vërtetohet.
Gjetjet e Gjykatës së Apelit:
Në vendimin e shkallës së dytë, thuhet se nuk ka argumente bindëse dhe nuk përmbajnë asnjë argument bazë ligjore, që të hudhet akuza ashtu siç kërkon Kodi i Procedurës Penale.
Sipas Apelit, shkalla e parë drejt ka vendosur kur ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural që të vazhdohet me gjykim ndaj Shabanit dhe Qerimit.
Apeli ka theksuar se bazuar në shkresat e lëndës, tani ekzistojnë elementet qenësore të veprave penale për të cilat ngarkohen Shabani dhe Qerimi dhe se të gjitha provat janë marrë në mënyrë të ligjshme.
Kjo Gjykatë ka sqaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor provat e siguruara do të administrohen dhe për të njëjtat do t’iu jepet mundësi avokatëve dhe të akuzuarve që t’i kundërshtojnë, duke paraqitur argumentet e tyre. Aty thuhet se gjykata bazuar në zhvillimin e shqyrtimit gjyqësor, do të nxjerrë vendim meritor lidhur me këtë rast.
Pas këtij vendimi, pritet që Themelorja të caktojë seancat gjyqësore ndaj Shabanit dhe Qerimit.
Seanca e 5 marsit 2025 ishte ndërprerë me kërkesë të të akuzuarit Shabani për afat shtesë për lexim dhe analizim të aktakuzës në mënyrë që më pas të deklarohet lidhur me fajësinë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër- atë të Reçakut.

Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Nis hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, nëntë ditë pas ngjarjes
Spajiç kërkon hetim parlamentar për ndikimin e mundshëm të Serbisë në mediat dhe bizneset e Malit të Zi