Prishtinë 5 Maj 2026 14:05
Në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, është marrë vendim që të refuzohet dëshmia e dëshmitarit Koen Herlaar në cilësinë e ekspertit.
Ky dëshmitar ishte dëshmitari i dytë i Prokurorisë dhe sipas asaj që ishte thënë në sallën e gjyqit më 3 mars 2026, ai punon për Institutin e Kriminalistikës së Holandës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas vendimit të marrë më 27 mars 2026 i cili u bë publik më 1 maj 2026, gjyqtari i vetëm, Christopher Gosnell ka konstatuar se raporti, materialet shoqëruese dhe dëshmia e këtij dëshmitari, janë të papranueshme, me arsyetimin se metodat e zbatuara në raportin e tij nuk janë mjaftueshme transparente.
Përveç kësaj, si arsye për këtë vendim ishte marrë edhe refuzimi i Herlaar për t’iu përgjigjur disa pyetjeve me arsyetimin se janë konfidenciale. U theksua se Prokuroria s’ka paraqitur kërkesë sipas Rregullës 107, e cila parasheh që një dëshmitar mund të dëshmojë me autorizim nga dhënësi i informacionit.
“Gjykatësi i Vetëm i Gjykimit konstaton se Raporti, Materialet Shoqëruese dhe dëshmia e z. Herlaar janë të papranueshme mbi bazën se metodat e zbatuara në Raport nuk janë mjaftueshëm transparente për të lejuar një vlerësim kuptimplotë të vlerës së tij provuese. Për më tepër, çdo vlerë provuese tejkalohet nga paragjykimi që rrjedh nga pyetjet ndaj të cilave z. Herlaar refuzoi të përgjigjej ose nuk ishte në gjendje t’i trajtonte për shkak të detyrimeve të konfidencialitetit që ai përmendi, paragjykim i cili shtohet nga mosparaqitja nga ana e ZPS-së e një kërkese sipas Rregullës 107. Së fundi, Gjykatësi i Vetëm i Gjykimit nuk bindet se vetë Raporti pasqyron një ekspertizë, në dritën e çështjeve që janë konfidenciale, gjë që përbën një bazë të pavarur dhe të mjaftueshme për të konstatuar se Raportit i mungon vlera provuese”, thuhet në vendim.
Ndryshe, ky dëshmitar sipas Prokurorisë ishte ekspert dhe se raporti i tij thuhej se ishte relevant pasi pretendohej se vërteton dy dokumente, njëri i sekuestruar nga Smakaj dhe tjetri nga Kilaj, që janë shtypur nga i njëjti printer që ishte në dispozicion të Thaçit në qendrën e paraburgimit.
Mbrojtja kundërshtoi pranueshmërinë e raportit dhe dëshmisë së Koen Herlaar, duke argumentuar se metodologjia e përdorur është e paqartë dhe e pambështetur. Sipas saj, raporti përmban vetëm përfundime pa shpjegime të mjaftueshme shkencore, ndërsa mungesa e materialeve të nevojshme e bën të pamundur verifikimin e saktësisë së analizës nga palët dhe gjykata.
Gjithashtu, mbrojtja thekson se këto mangësi nuk u korrigjuan gjatë dëshmisë në gjykatë, pasi dëshmitari refuzoi t’iu përgjigjej shumë pyetjeve thelbësore, duke u thirrur në konfidencialitet. Këto refuzime, sipas mbrojtjes, kanë cenuar seriozisht të drejtën për një gjykim të drejtë, veçanërisht të drejtën për kundërpyetje efektive dhe për të sfiduar provat kundër të akuzuarve.
Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.
Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.

FMN vlerëson progresin e Kosovës në stabilitetin financiar
Shmanget shtrenjtimi i rrymës
Hapet Gjykata Administrative në Prishtinë
Deçani nderon dëshmorët, homazhe në Gllogjan dhe në gjithë komunën
Kurti jep lajmin e mirë për prindërit: Regjistrimi i të porsalindurve tani më i lehtë se kurrë
AKA pranohet në SHBA nga CHEA si autoritet akreditues
Specialja refuzon dëshminë dëshmitarit të dytë të ZPS-së në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë
I dyshuari për vrasjen në Gjakovë vetëdorëzohet në polici