Prishtinë, 5 maj 2026 09:38
Agjencia e Kosovës për Akreditim është njohur zyrtarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë, një nga institucionet më prestigjioze në botë për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.
Bordi i drejtorëve të CHEA ka vendosur që AKA të pranohet me statusin e “autoritetit akreditues” për një periudhë shtatëvjeçare, deri më 31 dhjetor 2033. Ky vendim vjen pas një procesi të gjatë dhe rigoroz vlerësimi, duke konfirmuar standardet e larta profesionale dhe institucionale të agjencisë kosovare.
Në njoftimin zyrtar drejtuar drejtorit të përgjithshëm të AKA-së, Naim Gashi, zëvendëspresidentja e CHEA-s, Loretta C. Waldron, theksoi se bordi ka miratuar rekomandimin për njohjen e AKA-së si autoritet akreditues në SHBA.
Me këtë vendim, Kosova bëhet aktualisht vendi i parë dhe i vetëm në Evropë që gëzon këtë status në Shtetet e Bashkuara. Kjo arritje vjen më pak se një vit pasi AKA u përfshi në Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, duke e bërë Kosovën gjithashtu lider në rajonin e Ballkanit Perëndimor në këtë fushë.
Ky sukses konsiderohet si rezultat i reformave të vazhdueshme, rritjes së transparencës dhe përkushtimit për cilësi në arsimin e lartë. Njohja nga CHEA pritet të forcojë kredibilitetin ndërkombëtar të diplomave nga Kosova dhe të hapë më shumë mundësi për studentët në aspektin e mobilitetit akademik dhe vazhdimit të studimeve jashtë vendit.
Për institucionet e arsimit të lartë në vend, ky zhvillim shihet si një mundësi për të thelluar bashkëpunimin me universitete ndërkombëtare, veçanërisht në SHBA, si dhe për të avancuar më tej standardet akademike.
Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi, së bashku me drejtorin Gashi, kanë shprehur mirënjohje për partnerët amerikanë dhe të gjithë akterët vendorë që kontribuuan në këtë arritje.
Ky vendim shënon një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe përfaqëson një hap të madh përpara drejt ndërkombëtarizimit dhe rritjes së cilësisë në arsimin e lart.

Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Pantiq e Zariq dalin para Gjykatës si të akuzuarve për krime lufte
Nis hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, nëntë ditë pas ngjarjes
Spajiç kërkon hetim parlamentar për ndikimin e mundshëm të Serbisë në mediat dhe bizneset e Malit të Zi