Prishtinë, 12 prill 2026 19:22
Deputetja britanike Alicia Kearns ka reaguar ndaj raportimeve se Bashkimi Evropian po shqyrton shkurtimin e deri në 1.5 miliardë eurove financim për Serbinë, për shkak të shqetësimeve mbi demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Në një postim në rrjetin social X, Kearns u shpreh se “Brukseli më në fund po zgjohet” ndaj situatës në Serbi, duke theksuar se liria e medias dhe shteti ligjor janë në rënie.
“Brukseli më në fund po zgjohet ndaj vdekjes së ngadaltë të lirisë së medias dhe sundimit të ligjit në Serbi”, ka shkruar ajo.
Ajo shtoi se veprimet duhet të kenë pasoja dhe se mbrojtja e lirisë së shtypit duhet të jetë e panegociueshme për vendet që synojnë integrimin evropian.
“Veprimet kanë pasoja, dhe mbrojtja e lirisë së shtypit duhet të jetë e panegociueshme në pragun e Evropës, e lëre më për çdo anëtarësim të ardhshëm”, theksoi Kearns.
Sipas raportimeve, Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e ndërprerjes ose reduktimit të fondeve për Serbinë, duke përmendur shqetësime për zhvillimet demokratike dhe lidhjet e saj të afërta me Rusinë.
Nëse realizohet, kjo do të përbënte një nga goditjet më të mëdha financiare ndaj Beogradit nga Brukseli në vitet e fundit, duke reflektuar rritjen e presionit të Bashkimit Evropian për respektimin e standardeve demokratike.
Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor u miratua nga Komisioni Evropian në fund të vitit 2023, dhe synon forcimin e procesit të afrimit të rajonit me BE-në, si dhe nxitjen e reformave dhe bashkëpunimit rajonal.
Për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve që parashikon ky plan, Serbia tashmë ka marrë rreth 50 milionë euro më pak.
Ndërkaq, që katër vjet, Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në negociatat për anëtarësim në BE.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj