Prishtinë, 15 Korrik 2025
Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për krime lufte, në cilësinë e dëshmitarit Nexhmedin Pepaj tha se të akuzuarit Momir Pantiq si ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, dhe ish-polici Zharko Zariq, kanë pasur fuqi të ekzekutonin kë të donin.
“Këta dy kanë pas fuqinë të ekzekutojnë kë të dojnë, të rrahin kë të dojnë, ta vrajnë kë të dojnë, ta shpëtojnë kë të dojnë”, tha Pepaj.
Dëshmitari Pepaj fillimisht tregoi se si e kishte njohur të akuzuarin Pantiq, për të vazhduar me rrëfimin për maltretimet që kishte përjetuar ai, familja e tij dhe e gjithë lagja, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai tha se të akuzuarin Pantiq të cilin e njeh nga fëmijëria, në ditën kur kishte ndodhur bastisja e identifikoi në mesin e policëve të tjerë të uniformuar. Tha se Pantiqi aty ishte i veshur me rroba civile dhe mbante një xhaketë lëkure ngjyrë kafe.
“Gjatë bastisjes dhe nxjerrjes nga shtëpia e kam njoftë shumë mirë kta, se e kam njoftë edhe më përpara”, tha Pepaj.
Dëshmitari Pepaj edhe më tutje përshkroi veprimet e të akuzuarit Pantiq në ditën kritike, ku tha se vetë Pantiqi i urdhëronte me dorë njesitet policore se nga të hynin.
“Ky ishte komandant i atij njësiti policor dhe pa urdhrin e tij asgjë s’ishte bërë. E krijova bindjen se ky bënte me dorë, hyni në atë derë e dilni në atë derë. Nga krejt lagjia unë isha në rrugë, se isha i pari që më kishin nxjerrë dhe i shihja të gjithë ata policë përreth se çfarë vepra po bëjnë dhe si po i nxjerrin fqinjtë e mi nga shtëpia”, deklaroj Pepaj.
Gjatë dëshmisë së tij, Pepaj iu drejtua trupit gjykues duke thënë se për të dëshmuar nuk do të mjaftonte një ditë për të rrëfyer përjetimet e tij.
Ndërsa, lidhur me ato që mbrojtja e të akuzuarit Pantiq pretendoi se nuk i kishte thënë më herët në deklarimet e tij, dëshmitari u përgjigj duke thënë se ishte rrëfyer shkurtimisht, e disa të tjera mund edhe të mos t’iu kenë kujtuar.
“Unë deklaratën nuk mundem ta ndryshoj, vetëm kam dëgju se disa fqinjve gjatë bastisjes policia ju kanë thënë do t’ua bëjmë më zi se Jasharëve”, tha ai.
Pyetje për dëshmitarin Pepaj parashtroi edhe i akuzuari Pantiq, i cili kërkoi nga dëshmitari arsyen e bastisjes që kishte ndodhur atë ditë, e që Pepaj tha se nuk e di sot e asaj dite.
“Ne s’e kemi ditë atë ditë, as sot nuk e dimë për çfarë arsye, vetëm një e di se gjatë krejt asaj bastisje asnjë fishek, se le ma armë në shtepitë tona nuk ka gjetë”, tha ai.
Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.
Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.
Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut. Për të lexuar akuzën e plotë klikoni KËTU /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
