Prishtinë, 13 mars 2026 08:14
Nga 1 prilli 2026 në Kosovë hyn në fuqi faza e dytë e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, një proces që pritet të ndryshojë mënyrën se si një pjesë e bizneseve furnizohen me energji. Sipas njoftimeve zyrtare, bizneset e mëdha do të kalojnë nga sistemi me tarifa të rregulluara në tregun e hapur të energjisë.
Ky ndryshim bëhet në përputhje me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE). Furnizuesi i Shërbimit Universal, KESCO, ka bërë të ditur se nga kjo datë do të vazhdojë procesi i daljes së konsumatorëve komercialë në tregun e hapur, duke i obliguar disa biznese të zgjedhin vetë furnizuesin e energjisë.
Sipas kritereve të përcaktuara, në këtë fazë përfshihen bizneset që kanë mbi 50 punonjës ose realizojnë qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro. Këto kompani nuk do të furnizohen më me tarifa të rregulluara në kuadër të shërbimit universal, por do të duhet të lidhin kontrata me furnizues të licencuar në tregun e hapur.
Autoritetet kanë bërë të ditur se bizneset e prekura duhet të zgjedhin furnizuesin e tyre dhe të nisin procedurën e ndërrimit të furnizuesit të paktën 21 ditë pune para hyrjes në fuqi të kontratës së re. Në rast se një biznes nuk arrin ta bëjë këtë brenda afatit, ai do të furnizohet përkohësisht nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për një periudhë deri në 60 ditë.
Nëse edhe pas këtij afati nuk arrihet të lidhet kontratë me një furnizues të licencuar, furnizimi me energji elektrike mund të ndërpritet sipas legjislacionit në fuqi.
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë synon rritjen e konkurrencës në sektorin energjetik dhe harmonizimin e tregut të Kosovës me praktikat evropiane, ndërsa pritet të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si bizneset menaxhojnë kostot dhe furnizimin me energji në të ardhmen.
Në të njëjtën kohë, ky proces ka ngjallur edhe debat në komunitetin e biznesit, ku disa organizata kanë shprehur shqetësime për ndikimin që liberalizimi mund të ketë në rritjen e kostove të prodhimit dhe në konkurrueshmërinë e kompanive vendore.
