Mitrovicë Veriore 12 mars 2026 19:38
Tryeza informues erreth Ligjit për Automjete dhe atij për të Huaj, e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në veri të Mitrovicës është bojkotuar nga disa organizata të shoqërisë civile nga komuniteti serb.
Takimi u mbajt në kuadër të fushatës vetëdijesuese që MPB-ja është duke zhvilluar për këto dy ligje.
MPB-ja në njoftimin për media nuk ka përmendur numra sa OJQ e kanë bojkotuar këtë takim.
Në tryezë morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së, Genc Metaj, shefja e kabinetit të ministrit, Jeta Tela, drejtori i përgjithshëm i ARC-së, Jetmir Haziri, zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës dhe përfaqësues të disa OJQ-ve.
Gjatë diskutimit, Tela theksoi se qëllimi i tryezës ishte informimi i drejtpërdrejtë i organizatave të shoqërisë civile, përfshirë ato që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.
Ajo theksoi se Ligji për të Huaj është në fuqi që nga viti 2013, ndërsa Ligji për Automjete që nga viti 2017. Megjithatë, sipas saj, institucionet po zhvillojnë këtë fushatë me qëllim që qytetarët, vizitorët e huaj dhe të gjithë të huajt që hyjnë në Kosovë të kenë informata të sakta për të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore.
“Në vazhdën e përmirësimit të shërbimeve dhe ofrimit të tyre sa më afër qytetarëve, Ministria e Punëve të Brendshme ka punuar njëkohësisht edhe në decentralizimin e shërbimeve. Pra, tash përveç në Prishtinë, do të ofrohet mundësia për aplikim për leje qëndrimi edhe në tri rajone të tjera: në Mitrovicën e Veriut, Gjilan dhe Prizren, në mënyrë që të gjithë ata që preken nga Ligji për të Huaj, përfshirë edhe komunat e pjesës veriore, të kenë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në këto shërbime”, ka thënë Tela.
Nga MPB-ja u shpreh zhgënjim për bojkotin e disa organizatave nga komuniteti serb, të cilat nuk e shfrytëzuan mundësinë për të kontribuar në informimin e komuniteteve që përfaqësojnë apo të të huajve që qëndrojnë në komunat e tyre.
“Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të mbajë takime informuese për një komunikim të hapur me qytetarët dhe organizatat. Po ashtu, u bëhet thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave dhe për çdo informacion të saktë të ndjekin kanalet zyrtare të MPB-së dhe Policisë së Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.
E nisja e zbatimit të Ligjit për Automjetet parasheh ndalesën e ngasjes së automjetit me targa të huaja nga një shtetas i Kosovës, pa prani të pronarit ligjor edhe kur ai i jep autorizim për këtë.
Nga këto politika, më së shumti pritet të preken shtetasit e Serbisë dhe ata të Shqipërisë.
Këto ligje janë kundërshtuar nga autoritetet në Serbi dhe nga Lista Serbe.

Ministria e Arsimit ndan mbi 103 mijë euro për abetaret e diasporës
Haxhiu për gërmimet në Kalludër: Zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit të të zhdukurve
Publikohet lista preliminare e të vrarëve dhe të zhdukurve në luftë
Prokuroria Speciale pritet të kërkojë paraburgim për dy të dyshuarit pas zbulimit të varrezës masive në Zubin-Potok
Mitrovica investon në mirëmbajtje të ndriçimit publik
Serbia i mbajti të fshehura krimet e kryera në Kosovë- Blakaj bën thirrje për ngritje të aktakuzave