Prishtinë 17 Shkurt 2026 17:26
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka realizuar tri aksione të ndara në veri të vendit, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion, granata dore dhe pajisje të tjera ilegale.
Sipas njoftimit nga Drejtoria Rajonale në Mitrovicë Veri, veprimet policore janë ndërmarrë pas pranimit të informatave nga qytetarët për prezencë të mundshme të armëve dhe mjeteve të paligjshme në tri lokacione të ndryshme.
Rasti i parë – Zubin Potok
Rreth orës 01:20, njësitë policore kanë kontrolluar një shtëpi të pabanuar në fshatin Jagnjenic të komunës së Zubin Potok, ku kanë gjetur dhe sekuestruar 95 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe një emblemë dhe disa spaleta të Policisë së Serbisë.
Rasti i dytë – Zveçan
Në orën 09:20, gjatë kontrollit në një hambar të një shtëpie të braktisur në fshatin Zhitkovc, komuna e Zveçan, policia ka gjetur një armë automatike AK-47, një granatë dore M-57 (prodhim jugosllav), tre karikatorë të zbrazët, 85 fishekë të kalibrit 7.9 mm, 60 fishekë të armës AK-47, si dhe dy uniforma ushtarake me emblema të Serbisë.
Rasti i tretë – Zubin Potok
Rreth orës 12:20, gjatë kontrollit në një tjetër shtëpi të pabanuar në fshatin Varage të Zubin Potok, janë sekuestruar një granatë dore dhe 50 fishekë të kalibrit 7.62 mm.
Në rastin e dytë dhe të tretë, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (EOD), të cilat kanë bërë tërheqjen e mjeteve shpërthyese në mënyrë të kontrolluar.
Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Lidhur me këto raste, nuk është arrestuar asnjë person.
Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka bërë thirrje që çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike të raportohet në numrin 192.
