Prishtinë, 10 shkurt 2026 14:47
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, u deklarua për rastin e dhunës në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, ku një mësimdhënës e goditi një nxënës dhe prokuroria i caktoi ndalim 48 orësh.
Nagavci tha se inspektorët e arsimit kanë qenë në shkollën “Pavarësia” dhe po marrin raportet dhe deklaratat, përfshirë edhe nga Drejtoria e Arsimit. Nagavci, e pyetur nga mediat, tha se rasti i ndodhur në shkollën “Pavarësia” tregon se dhuna mund t’i prekë të gjithë dhe se është e domosdoshme që të funsksionojnë mekanizmat që ka ndërtuar Ministria e Arsimit për parandalimin dhe trajtimin e dhunës.
Rasti i djeshëm e ka bërë të qartë edhe një herë se të gjithë mund të jenë të ekspozuar ndaj dhunës, dhe është tejet e rëndësishme që të gjitha instrumentet të cilat tashmë janë në dispozicion, mekanizmat të cilat i ka ndërtuar Ministria e Arsimit, të funksionojnë dhe të gjitha palët, përfshi mësimdhënësit, menaxhmentin e shkollës, drejtoritë komunale të arsimit, por edhe prindërit, t’i shfrytëzojnë mundësitë që i kanë në mënyrë që të punojmë bashkarisht në radhë të parë për parandalimin e dhunës e pastaj edhe për adresimin e saj në rastet kur ndodhin”, tha Nagavci.
Ajo deklaroi se, sipas informatave të marra nga përfaqësuesit e shkollës, menaxhmenti nuk ka pasur mundësi të ndërmarrë masa disiplinore ndaj shkeljeve të vazhdueshme, gjë që e cilësoi problematike. Nagavci theksoi se Komuna e Prishtinës ka rregullore të miratuar që nga viti 2016, e cila përcakton qartë masat disiplinore që duhet të zbatohen për të parandaluar përshkallëzimin e incidenteve.
“Përtej kësaj, me sa kam dëgjuar sot nga një deklaratë e përfaqësuesve të shkollës, atyre nuk u është lejuar ose e kanë pasur të pamundur të marrin masa disiplinore në raport me, siç u tha nga shkolla, shkeljet e vazhdueshme disiplinore nga ana e shkollës, që është tejet problematike, sepse Komuna e Prishtinës e ka të miratuar rregulloren që në vitin 2016 dhe sipas asaj rregulloreje janë të përcaktuara saktë masat disiplinore, të cilat duhet të ndërmerren sapo të krijohet ndonjë incident dhe të mos lejohen përshkallëzime të tilla. Gjithsesi, për këtë rast, inspektorët kanë qenë që dje në shkollë, sot janë duke vazhduar punën e tyre duke marrë raportet dhe deklaratat edhe nga Drejtoria e Arsimit dhe do të adresohet secili çfarë ka përgjegjësi për këtë rast dhe jo vetëm për këtë”, shtoi ajo.
Duke folur për stafin profesional në shkolla, Nagavci tha se roli i pedagogëve dhe i psikologëve është shumë i rëndësishëm, por pavarësisht nga buxheti i ndarë nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës, në disa komuna, përfshirë Prishtinën, nuk është punësuar i gjithë stafi i nevojshëm. Ajo vlerësoi se keqmenaxhimi dhe mosrespektimi i legjislacionit kanë ndikuar në krijimin e situatave shqetësuese, të cilat i cilësoi të papranueshme dhe të dënueshme.
