Prishtinë, 1 shkurt 2026 15:46
Ish-sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, i njohur për deklaratat e tij të ashpra ndaj Kosovës, është përfshirë së fundmi edhe në dokumentet e publikuara që lidhen me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Në vitin 2004, Jagland kishte deklaruar se mafia kishte marrë nën kontroll një pjesë të madhe të qeverisjes së Kosovës, duke thënë se “Kosova prodhon pak gjëra të tjera përveç krimit”.
“Kur dihet se Afganistani prodhon 75 për qind të opiumit në botë dhe se pjesa më e madhe e tij kalon përmes Kosovës, ka arsye serioze për të dhënë alarmin”, kishte shtuar ai.
Në vitin 2010, Jagland kishte kërkuar një hetim më të thellë lidhur me akuzat se kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte i përfshirë, ndër të tjera, edhe në trafikim të paligjshëm të organeve. Duke u mbështetur në raportin e përgatitur nga Dick Marty, ai kishte deklaruar se këto akuza nuk mund të mbesnin pa përgjigje.
“I kam lexuar akuzat për trajtim çnjerëzor të njerëzve dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë. Raporti përmban shumë akuza serioze dhe kam frikë nga pasojat që mund të sjellë”, kishte thënë Jagland.
Ndërkohë, emri i Jaglandit është përmendur në dokumentet e lidhura me Jeffrey Epsteinin, ku në një shkëmbim emailesh të publikuara del se ai dhe familja e tij kishin plane për një udhëtim në ishullin privat të Epsteinit, pranë “Virgin Islands” në Detin Karaibe, gjashtë vjet pasi Epstein ishte dënuar për tentim të blerjes së shërbimeve seksuale nga të mitur.
E-mailet zbulojnë detaje të planifikimit të udhëtimit, mënyrën e transportit dhe personat që do t’i prisnin Jaglandin dhe familjen e tij pas mbërritjes në ishull, ku dyshohet se kanë ndodhur shumë nga abuzimet seksuale për të cilat Epstein u akuzua më vonë. Megjithatë, në një e-mail të datës 11 prill, njëra nga bashkëpunëtoret e Epsteinit njofton se udhëtimi ishte anuluar.
Në përgjigjen e tij, Jagland, i cili në atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, kishte shkruar se nuk mund të udhëtonte për shkak të aneksimit të Krimesë nga Rusia, ka raportuar Dagbladet.
Jagland kishte vizituar Shqipërinë edhe në maj të vitit 2012, ku kishte zhvilluar takime me krerët e lartë të shtetit shqiptar. Sipas dokumenteve, gjatë asaj vizite ai kishte vënë re edhe një tjetër detaj, për të cilin një ditë më vonë kishte komunikuar me Jeffrey Epsteinin përmes emailit, duke e njoftuar se kishte qenë në Shqipëri. Në dokumentin që mban datën 25.maj. 2012 Jagland shkruan: “Jeffrey, jo, nuk kam telefonuar ende. Kam qenë në Tiranë (Shqipëri), vajza të mrekullueshme”.
Në bazë të dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, del se komunikimi i Thorbjørn Jaglandit me Epsteinin ishte i vazhdueshëm.

Bullgaria në krah të Kosovës për integrimin në BE dhe anëtarësimin në KiE
Haxhiu: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat
Manipulimi i fokusit publik: Kosova si instrument në raportet Serbi- Mali i Zi
Zulfaj: Kosova është e gatshme për statusin e vendit kandidat
Haxhiu përfaqëson Kosovën në samitin SEECP në Sofje
Rashiq: Serbët iu nënshtruan presionit e shantazhit nga Lista Serbe
Gjykata në Prishtinë cakton fillimin e gjykimit në mungesë për Masakrën e Reçakut: Të akuzuar 19 ish-zyrtarë ushtarakë dhe policorë serbë
Dosja e Prokurorisë: Zbulohen detajet se si operonte grupi i shpartalluar kriminal