Mitrovicë e Veriut, 31 janar 2026 18:46
Tre zyrtarë të komunitetit shqiptarë janë larguar nga puna me vendim të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, të hënën më 26.01.2026.
Nëpunësit e Zyrës për Komunitete dhe Kthim e quajnë si arbritrar dhe disktriminues vendimin e ekzekutivit të ri.
Në anën tjetër në arsyetimin për largimin e tyre thuhet se kjo zyrë duhet të përbëhet nga shtatë zyrtarë, prej të cilëve tre duhet të jenë nga komuniteti shqiptarë, dy nga komuniteti boshnjakë, një nga komuniteti turk edhe një nga komuniteti serb.
E faktin që nga komuniteti shqiptar ishin të punësuar gjashtë zyrtarë, komunarët potencojnë se e kanë konstatuar paligjshmërinë e aktit të emërimit për këta nënpunës civil.
“Në një qytet me përbërje multietnike, një veprim i tillë përbën cenim të parimit të përfaqësimit të barabartë të komuniteteve, si dhe shkelje të drejtëpërdrejtë të dispozitave ligjore dhe nënligjore që rregullojnë qëllimin, kompetencat dhe funksionimin e kësaj zyre.”- thuhet në njoftim.
Tre zyrtarët e shkarkuar theksojnë se nuk ësht faji i tyre që janë pranuar në konkursin e 8 majit të vitit 2025 dhe se asokohe asnjë kandidat serbë nuk kishte aplikuar për pozitën e zyrtarit për Komunitete dhe Kthim.
R. U. tha për KALLXO.com se ajo nuk u lajmërua 15 ditë paraprakisht se do t’i shkëputet kontrata ani pse kështu e parasheh ligji.
“Kemi filluar në gusht të vitit 2025, ka qenë periudha provuese 6 muaj. Kontratën e kam pasur pa afat të caktuar. Më 26 janar na kanë shkarkuar. Jo, për 15 ditëshin nuk kemi pasur lajmërim prej tyre, veç na ka ardhë vendimi.”- tha U.
Një zyrtar tjetër në kushte anonimiteti potencoi për KALLXO.com se në konkurs nuk ishin përcaktuar kritere etnike apo kuota për përzgjedhjen e kandidatëve.
“Kjo është politike dhe diskriminuese. Konkursi ka qenë i hapur për të gjithë, nuk ka cekur askund a duhet me qenë shqiptarë, serbë apo boshnjakë për me apliku. As nuk është cekur numri se sa shqiptarë, serbë apo boshnjakë kanë me u marrë.”- tha ai.
Ish-zyrtari thekson se pas periudhës provuese e cila pritej të përfundojë në shkurt, udhëheqësi i Zyrës për Komunitete dhe Kthim do të duhej ta bëjë vlerësimin e perfomancës së zyrtarëve dhe ta konfirmojë nëse i kanë mbushur kriteret për vazhdimin e punës.
Mirëpo sipas tij, shkëputja e kontratës erdhi para periudhës gjashtë mujore.
“Na dërgoi shefi email-at që shihemi të enjten në kaq ora për takimin. E kur e kanë parë atë e-mail që na ka dërguar shefi për vlerësim veç e ka thirr kryetari në zyrën e tij në komunë dhe ia ka dhënë vendimin për largimin nga puna për ne.”- tha më tej ish zyrtari.
Duke theksuar se ky është një vendim i kundërligshëm, ish-zyrtarët e intervistuar nga KALLXO.com, thonë se për shkarkimin e tyre do të ankohen në Këshillin e Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe do ta ndjekin penalisht.
Shefi i Zyrës për Komunitete dhe Kthim, Xhevdet Haxhiu tha për KALLXO.com se asnjë kandidat i komunitetit serb nuk ka aplikuar për pozitën “Zyrtar për Komunitete“ në maj të vitit të kaluar.
“Me sa e di unë dhe informatat që i kam aty nuk ka pasur aplikantë të tjerë. Një ka qenë i komunitetit turk dhe ka qenë shumë i dobët, një i komunitetit boshnjak veçse është pranuar dhe të tjerët kanë qenë të githë shqiptarë.”- potencoi ai.
Sa i përket zyrtarëve të shkarkuar, Haxhiu thotë se nuk ka pasur asnjë vërejtje sepse sipas tij, të gjithë i kanë plotësuar kriteret në organzimin e punës.
“Madje të gjithë kandidatëve paraprakisht ua kam plotësuar vendimet për vazhdimin e kontratës së punës. Mirëpo me një vendim arbritar kryetari i komunës i ka shkarkuar.”- përfundoi udhëheqësi i zyrës për komunitete.
Rast i ngjajshëm i shkarkimit të punojnësve shqiptarë ndodhi edhe në Komunën e Zveçanit.
Dy ish- zyrtarë të Komunës së Zveçanit nga komuniteti shqiptar po pretendojnë se u është ndërprerë marrëdhënia e punës padrejtësisht nga ekzekutivi i ri në krye me Dragisha Milloviq.
Në korrik të vitit të kaluar, ata firmosën kontatën me afat të pacaktuar, me akt emërimin e ish kryetarit Ilir Peci.
Kontrata iu shkëput me 10 janar të këtij viti, pas gjashtë muajsh Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, thuhet se shkarkimi i tyre ka ndodhur për faktin se gjatë punës provuese nuk kanë ndjekur trajnimet e detyrueshme, buxheti i komunës nuk ka mjete të mjaftueshme për asistent administrativë dhe nuk ekzsiton raporti për vlerësimin dhe rezultatet e punës.

Presidenca bullgare: Presidentet e Bullgarisë dhe të Kosovës diskutojnë për thellimin e marrëdhënieve
Bullgaria në krah të Kosovës për integrimin në BE dhe anëtarësimin në KiE
Haxhiu: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat
Manipulimi i fokusit publik: Kosova si instrument në raportet Serbi- Mali i Zi
Zulfaj: Kosova është e gatshme për statusin e vendit kandidat
Haxhiu përfaqëson Kosovën në samitin SEECP në Sofje
Ish-pjesëtari i ISIS-it dënohet për spiunazh te BIA serbe
Profesionalizmi i hetuesve kosovarë çon në zbardhjen e rrjeteve kriminale përmes Sky ECC
Investim i ri në shëndetësi: Peja pajiset me tomografi moderne, nga 1 korriku në shërbim të pacientëve
Dokumentar – Rrëfimet për të zhdukurit në rajonin e Ferizajt