Mitrovicë, 29 janar 2026 08:25
Pushteti i ri në katër komunat në veri të Kosovës, i udhëhequr nga Lista Serbe, po zbaton gjithnjë e më hapur hakmarrje politike ndaj punonjësve që nuk përshtaten me matricën politike “të dëshiruar”. Në vend të institucioneve dhe sundimit të ligjit, punëtorët, siç pohojnë ata, po përballen me revanshizëm të pastër, shkarkime, ndërprerje kontratash, presione, poshtërime dhe keqtrajtim sistematik.
Në shënjestër janë ata që para tre vitesh nuk dhanë dorëheqje, por edhe punonjësit e punësuar gjatë mandatit të pushtetit të mëparshëm, kur komunat udhëhiqeshin nga kryetarë shqiptarë (më saktë, që nga momenti kur anëtarët e Listës Serbe dhanë dorëheqje). Sipas dëshmive të punonjësve, nuk vlerësohet puna dhe profesionalizmi, por përkatësia kombëtare dhe “biografia” politike.
Portali “Veritasinfo” ka biseduar dhe është bindur drejtpërdrejt për këto fakte në të katër komunat në veri të Kosovës. (Për të mos përkeqësuar situatën, për arsye objektive nuk do t’i publikojmë emrat e bashkëbiseduesve. Identiteti i tyre është i njohur për gazetarin e portalit.)
“Ma thanë hapur se jam ‘problem’ sepse nuk dhashë dorëheqje kur ata i braktisën institucionet. Pas kësaj më larguan nga vendi i punës, më lanë të rri pa bërë asgjë dhe më dërguan mesazh të qartë se është më mirë të largohem vetë. Si gabimin më të madh, gjoja ma përmendin faktin se nuk e flas rrjedhshëm gjuhën serbe. Është interesante se kjo më parë (për 10 vjet) nuk ka qenë problem”, thotë një punonjës nga Mitrovica e Veriut, i cili ende nuk ka marrë vendim për shkarkim, por sipas fjalëve të tij, çdo ditë shkon në punë me frikë, duke pritur se çfarë do t’i vihet në faj apo do t’i imponohet më pas për ta larguar nga puna.
Në Zveçan, sipas pohimeve të një punonjëseje, presionet ushtrohen përmes shantazheve administrative: “Vazhdimi i kontratës sime është vënë në pikëpyetje sepse jam punësuar gjatë pushtetit të mëparshëm. Më thanë se jam ‘gabim i trashëguar’ dhe se kjo tani po korrigjohet.” Dy punonjës të përkatësisë shqiptare tashmë janë larguar nga puna, ndërsa të gjithëve të cilëve u skadon kontrata u është paralajmëruar se do të pësojnë të njëjtin fat. Gjoja komuna nuk ka mjete financiare për pozitat që ne i mbajmë. “Vërtet turp.”
Situatë e ngjashme është edhe në Zubin Potok, ku një punonjës pohon se është i ekspozuar ndaj kërcënimeve të hapura, poshtërimeve dhe presionit të vazhdueshëm: “Më thanë se mund të zgjedh: ose të nënshkruaj marrëveshje për ndërprerje me pëlqim, ose do të më nisin procedurë disiplinore. Çdo ditë më detyrojnë të kryej punë që nuk janë në përshkrimin e vendit tim të punës. Thjesht më poshtërojnë. Nuk jam më as politikisht aktiv, por këtu kjo nuk ka më rëndësi. Nuk do të largohem kështu. Do t’i duroj të gjitha dhe do të përpiqem ta mbaj vendin e punës, sepse nga kjo jetoj. Nëse më largojnë, shpresoj që në gjykatë do të arrij t’i mbroj të drejtat e mia. Po të kisha një punë tjetër, besoni se do të largohesha vullnetarisht, sepse kjo është e padurueshme. Të gjithë punonjësit që nuk u pëlqejnë janë transferuar në bodrumin e ndërtesës së Komunës së Zubin Potokut, pa ngrohje dhe pa ndriçim, gjoja për nevojat e bibliotekës. Njerëzit nuk guxojnë as të flasin për këtë temë, ndërsa të gjithë po kalojnë situata të ngjashme.”
Në Leposaviq, sipas burimeve, përdoret një metodë tjetër, por po aq brutale – poshtërimi dhe izolimi sistematik: “Më transferuan në një zyrë pa kompjuter, pa detyra, vetëm për të më thyer psikologjikisht. Mesazhi është i qartë: nuk je i yni, nuk ke çfarë të kërkosh këtu. Disa nga kolegët e mi që nuk kanë kontrata të përhershme, që nga ardhja e Listës Serbe, nuk marrin pagë. Komuna e Leposaviqit ka bashkëpunim me Komunën e Kamenicës lidhur me realizimin e buxhetit. Të detyruar nga situata e krijuar dhe duke marrë parasysh se udhëheqja lokale në Leposaviq nuk i informon për arsyet, ata shkuan në Kamenicë për të verifikuar pse nuk po marrin pagë. Aty u është thënë qartë se muajt e fundit nuk janë dërguar të dhënat e tyre për përllogaritjen e pagave. Fatkeqësisht, as ata nuk kanë mundur t’i ndihmojnë, por i kanë këshilluar të kërkojnë nga zyrtari financiar i Komunës së Leposaviqit t’ua dërgojë të dhënat me orët e punës, në mënyrë që pagat t’u ekzekutohen. Për fat të keq, situata është edhe më e rëndë se sa mendoni, por shumica hesht, që të mos ekspozohet edhe më shumë ndaj presioneve dhe problemeve.”
Veçanërisht alarmante është se, sipas dëshmive, në shënjestër nuk janë vetëm pjesëtarët e një komuniteti: “Këtu nuk shikohet nëse je serb apo shqiptar. Nëse nuk je pjesë e strukturës së tyre, të trajtojnë si armik. Për hakmarrje, duket se nuk ka kombësi”, thotë një nga bashkëbiseduesit nga Mitrovica e Veriut.
Punonjësit paralajmërojnë se në të katër komunat po zbatohet i njëjti model – pastrim politik nën justifikimin e “vendosjes së rendit”, pa procedura transparente, në shumicën e rasteve pa vendime me shkrim dhe pa të drejtë ankese.
“Kjo nuk është qeverisje, kjo është spastrim politik. Njerëzit ndëshkohen sepse nuk kanë qenë ‘të bindur’ në momentin kyç. Kjo nuk ka të bëjë as me ligjet, as me interesin e qytetarëve”, thotë një punonjës në Zubin Potok.
Derisa pushteti lokal hesht, mes punonjësve po rritet frika, por edhe zemërimi. Në vend të stabilitetit, veriu i Kosovës po përballet me një atmosferë frike, ku ekzistenca lidhet me lojalitetin politik, e jo me punën, dijen dhe ligjin.

Zgjedhjet e parakohshme mbahen më 7 qershor
Bllokim i donacioneve nga Kosova, Kamberi: Bankat po bëhen instrument i diskriminimit ndaj shqiptarëve
Rexhepi:Serbia bllokon fondet e Kosovës, nxënësit e Luginës mbesin pa libra
Milanoviq: Pretendime të pakuptimta se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po përgatiten të sulmojnë Serbinë
Haxhiu takon nesër partitë politike për datën e zgjedhjeve
Ivan Niniq: Beogradi sakrifikoi serbet e Kosovës për interesa politike, ndërsa Radoiçiq ende është i lirë
Kongresmenët Self, Torres e Lawler i paraqesin rezolutë Dhomës së Përfaqësuesve për anëtarësimin e Kosovës në NATO
Kadetët e FSK-së dëshmojnë përgatitje të lartë në vlerësimin praktik “Guximi i Palëkundur”
MINTI kërkon deklarim e ndarje të qartë të produkteve të qumështit në treg
FSK-ja merr përkrahje nga Mbretëria e Bashkuar për avancimin e kapaciteteve ushtarake