Prishtinë 26 janar 2026 13:46
Kosova po përgatitet për Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, që zhvillohen nga 6 deri më 22 shkurt, duke dërguar një ekip të vogël por ambicioz për të përfaqësuar vendin në disiplinat alpine dhe për të arritur rezultate më të mira se në edicionet e mëparshme.
President i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, në një konferencë për media, theksoi përkushtimin e institucioneve dhe mbështetjen për sportistët.
“Këto lojëra dimërore janë shumë të rëndësishme për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe për të gjithë sportistët tanë. Siç edhe ju e dini, Kosova përfaqësohet nga dy sportistë. Pra Kiana Kryeziu, e cila na përfaqëson me tri disiplina alpine, dhe gjithashtu Drini, i cili së bashku me trajnerin e tij Agim Popoci dhe trajnerin e Kianës Visar Kryeziu. Ne jemi munduar që gjatë krejt këtyre viteve së bashku me Federatën e Skijimit t’i përkrahim sportistët tanë me bursa olimpike, si dhe me kampe stërvitore, që e dimë që nuk janë fare të lehta”, theksoi ai.
Kryetar i Federatës së Skijimit, Milaim Kelmendi, foli për përgatitjen intensive dhe përvojën e sportistëve.
“Asnjëherë në historinë e skijimit nuk kanë qenë më të përgatitur se tash që po shkojnë në Olimpiadën e Cortina. Kështu që i uroj shumë sukses garuesve në radhë të parë, dhe pres një rezultat më të mirë se radhëve të tjera. Duke e ditur që kanë shumë ditë në trajnime në borë, dhe mbështetja nuk ju ka munguar asnjëherë. Kështu që pres rezultate më të mira të mundshme në këtë olimpiadë që do të vie tash”, tha ai.
Me eksperiencë nga Pekini 2022, Kiana Kryeziu, shprehu ambicien e saj për performancën në tri disiplinat alpine.
“Pak a shumë kjo është një vazhdimësi e karrierës time. Unë i kam pas 17 vjet në Pekin, edhe kam garuar pra vetëm me një disiplinë, në disiplinën e Sllallomit të Madh. Kurse tash, mbas katër vjetësh, shumë pune dhe shumë përkushtimi, ia kam mundësuar vetes me rezultate të garojë në tri disiplina. Gjithçka është si pasojë e punës dhe përkushtimit edhe mbështetjes së pandalur. Prej vetes pres rezultate të mira, pres një paraqitje shumë më të mirë se herën e kaluar, edhe një përfaqësim sa më dinjitoz të shtetit”, deklaroi ajo.
Drin Kokaj, i cili debuton në një Olimpiadë Dimërore, tregoi sfidat e kualifikimit dhe vendosmërinë për të dhënë më të mirën për Kosovën.
“Për mua Lojërat Olimpike Milano-Cortina është hera e parë që do ta përfaqësoj Kosovën në eventin më të madh botëror. Kjo olimpiadë rrugëtimi ka qenë më i vështirë, për arsye që kualifikimi në Olimpiadë ka qenë nga Federata Ndërkombëtare për ta fituar normën më e vështirë se olimpiadat e kaluara. Domethënë, masat kanë qenë më të shtrënguara dhe ka qenë që duhet me dëshmuar nivelin që jemi të aftë për atë olimpiadë. Kështu që e kam dëshmuar dhe shpresoj që përfaqësimi ka me qenë në një nivel sa më të mirë botëror”, theksoi ai.
Ky ekip i vogël por i përkushtuar synon të japë një performancë dinjitoze dhe të ngritë nivelin e Kosovës në skijimin olimpik.

Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Grand Slamin e Abu Dabit
Ballkani triumfon bindshëm ndaj Drenicës
Nacionalizmi serb shfaqet edhe në futboll, tifozët e “Yllit të Kuq” djegin figurat e Kurtit dhe Thaçit
Barcelona-Real Madrid: ‘El Clasico’ që mund ta ndryshojë historinë
Gjilani pret Llapin në hapje të xhiros së 11-të të Superligës
PSG-Barcelona, kryesfida e mbrëmjes në Ligën e Kampionëve
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Spajiç kërkon hetim parlamentar për ndikimin e mundshëm të Serbisë në mediat dhe bizneset e Malit të Zi
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit