Prishtinë 22 janar 2026 08:09
Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ishte pjesë e panelit ndërkombëtar për stabilitetin dhe të ardhmen e Ballkanit, ku morën pjesë liderë politikë, diplomatë dhe ekspertë të sigurisë nga e gjithë bota.
Gjatë fjalës së tij, Hoxhaj theksoi se Ballkani nuk duhet parë më si periferi e Evropës, por si një nga rajonet më të ndjeshme për sigurinë evropiane. “Ballkani nuk është një periferi e Evropës, por ndër rajonet më problematike për sigurinë e saj. Ai është sot shembulli më i qartë i dilemave serioze të sigurisë së Evropës”, tha Hoxhaj.
Ai paralajmëroi se mungesa e vëmendjes dhe përkushtimit politik të Perëndimit ndaj rajonit po krijon një situatë të rrezikshme.
“Çka po shohim sot nuk është vetëm pasiguri periferike, por ambiguitet sistematik. Ambiguiteti perëndimor ndaj Ballkanit është një ftesë e drejtpërdrejtë për përshkallëzim”, theksoi ai.
Duke iu referuar përvojës së Kosovës, Hoxhaj kujtoi se kontinenti evropian nuk është imun ndaj rikthimit të luftës. “Si një vend që ka përjetuar luftën dhe gjenocidin para 27 vitesh, ne kemi besuar se këto do të ishin ngjarjet e fundit në Evropë. Sot, me rikthimin e luftës, ky iluzion ka rënë”, u shpreh ai.
Hoxhaj identifikoi Serbinë si burimin kryesor të jostabilitetit rajonal. “Kërcënimi kryesor për sigurinë në Ballkan është Serbia, me politikën e saj hegjemoniste ndaj Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës. Kësaj politike amerikanët dhe evropianët duhet t’i japin fund”, tha ai.
Në këtë kontekst, Hoxhaj bëri thirrje për një rizgjim gjeopolitik të Perëndimit dhe mbështetje të qartë për integrimin euroatlantik të rajonit. “NATO dhe BE duhet seriozisht të mbështesin anëtarësimin e Kosovës dhe vendeve të tjera të mbetura, si dhe të tregojnë vendosmëri reale për zgjerimin e Bashkimit Evropian drejt Ballkanit”, deklaroi ai.
Ai kritikoi qasjen aktuale të BE-së ndaj zgjerimit, duke e cilësuar atë si të konsumuar. “Zgjerimi nuk mund të vazhdojë si proces teknokratik. Reforma pa afate ka prodhuar lodhje, integrimi pa garanci ka prodhuar përafrim pa besnikëri, ndërsa premtimet pa jetëzim kanë dëmtuar rëndë kredibilitetin e BE-së”, tha Hoxhaj.
Sipas tij, Ballkani ndodhet sot në një pozitë të paqëndrueshme: “Rajoni është ekonomikisht i integruar, politikisht i përjashtuar dhe në aspektin e sigurisë i varur, me vakume serioze sigurie”.
Ai paralajmëroi se këto vakume nuk mbesin bosh.
“Në situatën e re gjeopolitike, vakumet e sigurisë mbushen shpejt dhe historia na ka mësuar se i mbushin kundërshtarët e Perëndimit dhe të paqes”, përfundoi Hoxhaj.

As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Çfarë e pret Listën Serbe dhe kuadrot e saj në Kosovë pas humbjes së Vuçiçit në zgjedhjet në Serbi?
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj