Prishtinë, 10 janar 2026 07:01
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj katër prej 39 të arrestuarve nën dyshimet për dallavere në Byronë Kosovare të Sigurimit.
Kërkesa për paraburgim është bërë ndaj ish-drejtorit Sami Mazreku dhe ish-drejtorit të Financave në BKS, Valon Berisha. Po ashtu kërkesa për paraburgim është bërë edhe ndaj F.S. dhe Y.Ç.
Ndërkaq për 35 të tjerët është kërkuar që të caktohet masa e paraqitjes në stacion policor dhe t’u ndalohet t’i ofrohen vendit ose personit të caktuar.
Mazreku dhe Berisha, sipas kërkesës së Prokurorisë, për periudhën 22 korrik 2022 deri më 9 tetor 2023, kanë bërë qindra transaksione te llogaritë e ndryshme me pretendimin kinse në emër të pagesës së dëmeve. Sipas kërkesës që ka siguruar KOHA, Mazreku e Berisha, kanë keqpërdorur detyrën duke shkaktuar dëme mijëra euroshe në secilin transaksion. Ata dyshohen se kanë miratuar transaksione nga llogaria e BKS-së te llogaritë e personave të tjerë që janë paraqitur kinse si të autorizuar të palës tjetër për kompensim të dëmit material nga aksidentet e trafikut. E këta individë sipas dosjes veçse ishin kompensuar paraprakisht për aksidentet në fjalë. Shuma më e vogël e transaksionit ka qenë 6 mijë e 800 euro, ndërsa transaksioni më i lartë 68 mijë euro.
Aty po ashtu është përmendur edhe dyshimi që ata kanë përfituar shuma të mëdha parash dhe se kjo ua mundëson ikjen e “sidomos duke marrë parasysh kushtet me liberalizimin e vizave”.
Që të dy dyshohen se në kundërshtim me rregullat e brendshme të këtij institucioni kanë keqpërdorur autorizimet nga BKS-ja dhe ia kanë mundësuar vetes fitime të mëdha, ndërsa Byrosë i kanë shkaktuar dëm prej më shumë se 1 milion eurosh.
Prokuroria ka konsideruar se ekzistojnë arsyet ligjore për masën e paraburgimit ndaj katër prej të dyshuarve. Vepra e keqpërdorimit të besimit dënohet deri në pesë vjet burgim, ajo për keqpërdorim të autorizimeve deri në tetë vjet dhe ajo për falsifikim dokumentesh deri në katër.
“… andaj veprat penale të lartcekura që ngarkojnë të pandehurit janë vepra penale serioze dhe të dënueshme me dënime të ashpra, duke i dhënë të pandehurve një motiv të fortë që të arratisen”, thuhet në kushtet që Prokuroria ka përmendur në kërkesën për paraburgim.
Ata dyshohen për “keqpërdorim të besimit”, “keqpërdorim të autorizimeve ekonomike në bashkëkryerje”, ndërsa Berisha me individë të tjerë dyshohen edhe për falsifikim të dokumenteve.
Shumica e të tjerëve dyshohen për ndihmë në falsifikim të dokumenteve.
Seanca dëgjimore për 39 të dyshuarit ka përfunduar rreth orës 22:30. Ajo ishte paraparë të niste në orën 16:00. Gjatë kësaj seance Berishës i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe për shkak të kësaj seanca pati edhe pauza.

Vdekje e dyshimtë në Podujevë, viktima gjendet me plagë në fytyrë dhe disa armë përreth
Aksident me fatalitet në Gjakovë, humb jetën një punëtor pasi u zu nga kamioni
Dogana e Kosovës konfiskon mbi 122 mijë euro në veturën që e drejtonte shtetasi rumun
Shkon në pesë numri i të arrestuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Ferizaj, në pranga edhe një noter
Një fëmijë bie në Liqenin Akumulues në Mitrovicë, nxirret me shenja jete
Me patentë-shofer të falsifikuar nga Serbia tentoi ta konvertonte në RKS, policia nis hetimet
Malisheva e mposht edhe Prishtinën si Dukagjinin, në fund të ndeshjes
Raportim 1998: Ushtarët dhe policët serbë me uniforma të UÇK-së vranë civilët shqiptarë
Nënshkruhet marrëveshja për rindërtimim e Xhamisë së Ibrit në Mitrovicë, e cila u shkatërrua gjatë luftës në Kosovë
MBPZHR-ja njofton programin e pagesave për kultivuesit, këto prodhime do të subvencionohen