Prishtinë, 17 dhjetor 2025 20:39
Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar fuqizim të sektorit të sigurisë dhe ekonomisë nëse merr edhe një mandat nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kurti në tubimin në Mitrovicë ka thënë se për ushtrinë do të ndalë 1 miliard euro, derisa ka prezantuar planin për forcimin e saj.
“Në mandatin që na pret për këtë ushtri do ndajmë së paku 1 miliard euro, do ta kemi fabrikën e municionit dhe fabrikën për prodhimin e dronave Made in Kosova. Në kuadër të forcimit të ushtrisë do të fillojmë programin e rezervës vullnetare për mbrojtje gjithëpërfshirëse”, ka thënë ai.
Kurti ka premtuar investim 400 milionë eurosh për pesë diga të reja, e edhe rritje të pagave mbi 1 mijë euro.
“Në mandatin që vjen pagën mesatare në sektorin publik do ta kemi mbi 1 mijë euro. Pensionet i kemi gjetur 90 euro, i rritëm 100 euro, 120 euro dhe jo vetëm kaq. Pensionistët për katër vjet pesë herë e kanë marrë pensionin e 13-të dhe tash së fundmi e bëmë pensionin 150 euro. Mandatin e ardhshëm do ti dyfishojmë do ti bëjmë shtesat 90 euro për fëmijët e Kosovës”, u shpreh tutje.
Ai dhënë premtime edhe për infrastrukturën rrugore, ndërtimin e spitaleve, çerdheve të reja, rindërtimin e objekteve fetare e të tjera.
Premtimi i Abdixhikut: Paga e mësuesit 1000€, e infermierit 975€, e policit dhe ushtarit 900€
5 miliardë euro investime kapitale, “rikthimi i partneriteteve” me ndërkombëtarët, heqja e masave të BE-së dhe marrja e njohjeve të reja, janë disa nga premtimet e kandidatit për kryeministër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku ka prezantuar planin e tij nëse del fitues i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, e ky plan, ka thënë ai, nis nga njeriu – familja kosovare.
Në tubim elektoral në Klinë, Abdixhiku ka thënë se do ta bëjnë Ministrinë e Familjes përmes së cilës do të mbulohet interesi për banesën e parë të çifteve të reja. Ka shtuar se çdo i porsalindur do të mbështetet me 200 euro në muaj për një vit.
Në planin e tij parashihen edhe 1 miliard euro për çerdhe dhe mësim tërëditor si dhe rritja e pagave.
“Ne kemi marrë gjithashtu zotimin për rritjen e pagave në administratë me koeficientin 150. Në qeverinë tonë, paga e mësuesit do të jetë 1000 euro. Paga e infermierit 975 euro. E policit dhe ushtarit 900 euro”, ka thënë ai në tubim.
Për të rinjtë e të posadiplomuarit ai ka paraqitur këtë plan.
“Për të rinjtë, do të krijojmë Ministrinë e Digjitalizimit – motorin e së ardhmes. Do të aftësojmë 40 mijë të rinj në katër vjet, me paga evropiane, duke punuar nga Kosova. Kjo është rruga për të ndalur emigrimin. Kjo është rruga për të sjellë ekonomi moderne. Kjo është rruga për t’i hapur dyert e së ardhmes. Gjersa, për secilin të posadiplomuar në Kosovë, do të ketë punësim të garantuar me 500 euro pagë për 6 deri në 12 muaj të mbështetur nga vet shteti”, ka thënë ai.
Hamza: Pagat për ata që paguhen nga buxheti i shtetit do të rriten deri në 50%
Si shtyllë të parë të programit të tij, kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e ka vendosur zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien. Hamza në hapjen e fushatës zgjedhore në Prizren ka premtuar rritje të pagave dhe pensioneve.
“Pagat për mësuesit dhe arsimtarët, për mjekët, policët, zjarrfikësit, ushtarët dhe për të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit do të rriten deri në 50%. Edhe sistemin tatimor do ta bëjmë më të drejtë. Të ardhurat deri në 400 euro, më nuk do të kenë fare tatim. Nga 400 deri në 800 euro, do të tatohen vetëm me 8%. Ndërsa, mbi 800 euro do të takohen me 10%”, ka thënë ai.
Ka shtuar se me qeverinë e tij do ta shfuqizojë ligjin aktual të tatimit në pronë dhe ta heqë TVSH-në për produktet esenciale dhe energjinë. Pa TVSH në kufi, por pas shitjes, u ka premtuar edhe bizneseve.
Bizneset e vogla deri në 10 mijë euro qarkullim nuk do të paguajnë më as tatim, ndërsa ato deri në 30 mijë euro qarkullim do të tatohen vetëm mbi fitimin real. Ndërsa, bizneset e reja do t’i mbështesim edhe me kredi, subvencione dhe me burime të reja financimi, përfshirë edhe me zhvillimin e tregut të kapitalit.
Hamza ka prezantuar planin e tij edhe për punëtorët, fëmijët e lehonat.
Ne do ta krijojmë Fondin e Papunësisë, do ta themelojmë Gjykatën e Punës dhe do t’i mbrojmë lehonat, familjet dhe punëdhënësit, duke i mbështetur edhe financiarisht. Po ashtu, për fëmijët do t’i ndajmë edhe nga 50 euro në çdo muaj.
Ai ka shtuar se planifikon t’i legalizojë ndërtimet pa leje me tarifa simbolike, t’i përfundojë autostradat dhe të ndërtojë lidhje të reja rrugore e hekurudhore, ndërsa në energji ka thënë se prioritet e ka sigurinë në furnizim dhe stabilitet.
Hamza ka premtuar ndër tjerash ndërtimin e stadiumit olimpik kombëtar, e reforma në arsimin parashkollor, krijimin e një fondi prej 30 milionë euro në vit për bursa studentore e për të moshuarit qendra kujdesi në çdo rajon të Kosovës. Ndërsa, për qytetarët me sëmundje kronike, përfshirë të moshuarit, ofrimin e ilaçeve falas, pa barrë financiare.
Në premtimet e tij ka përfshirë edhe sigurinë, duke premtuar krijimin e Gardës Kombëtare si forcë operative sipas standardeve të NATO-s, si dhe forcimin e partneriteteve dhe integrimin e Kosovës.
Haradinaj premton dyfishim të pagave për të gjithë deri në vitin 2029
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka hapur fushatën në kryeqytet.
Nën moton “Krah teje”, AAK-ja ka prezantuar kandidatët e listës me të cilën ia mësyn Kuvendit.
Nënkryetari Ardian Gjini tha se si rrallëherë kjo është lista më gjithëpërfshirëse dhe “me kandidatët më të mirë në krejt këtë garë të 28 dhjetorit”.
Ndërsa kreu i AAK-së, kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj, ka thënë se rruga e AAK-së është drejt integrimeve euroatlantike, duke ruajtur identitetin e tyre.
Në hapjen solemne të fushatës ai ka numëruar disa nga shtyllat e programit të partisë së tij.
“Shtyllë e programit tonë është rritja ekonomike, e bazuar në sektorin privat, mbështetur nga shteti. Do të qëndrojmë krah pensionistëve, me kategorinë e lirisë, mjekëve dhe infermierëve, punonjësve të administratës e deri tek artistët e sportistët e këtij vendi”, ka thënë ai.
Haradinaj ka premtuar mbështetje edhe për personat me aftësi të kufizuara. Ndërsa ka thënë se shtylla më e rëndësishme për ta është siguria.
“Ashtu siç e kemi bërë ushtrinë, do të anëtarësohemi edhe në NATO”, ka theksuar tutje ai.
Ndërsa deri në vitin 2029, ka thënë se të gjitha pagat dhe pensionet do të dyfishohen.
