Prishtinë, 2 tetor 2025

Partitë politike kanë vazhduar edhe sot aktivitetin e tyre në kuadër të fushatës parazgjedhore, me tubime dhe takime me qytetarë.

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizje Vetëvendosje, Harulla Çeku ka takuar qytetarët e Kodrës së Trimave, para të cilëve ka shpalosur pjesë nga programi i tij. “Uji i pijshëm: zgjidhje përfundimtare për furnizimin e pandërprerë. Rrugë të sigurta: ndriçim publik, trotuare të reja, kufizime shpejtësie dhe kalime për këmbësorë. Çerdhe dhe shkolla afër: çdo fëmijë ta ketë çerdhen dhe shkollën në distancë ecjeje. Lagje e pastër dhe e gjelbër: largim mbeturinash, kanalizim funksional, parqe, kënde lojërash dhe hapësira për të moshuarit. Zgjidhje për pronat: adresim i drejtë e transparent i problemeve shumëvjeçare me pronësinë. Shërbime publike cilësore: më shumë siguri, shëndetësi dhe transport më efikas. Ky është zotimi ynë për një lagje që funksionon me standardet më të larta. Së bashku do ta kthejmë Kodrën e Trimave dhe Prishtinën në modele të zhvillimit.

Ndërkaq, kandidati tjetër nga Partia Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili ka mbajtur tubim me gratë dhe vajzat e reja të kryeqytetit, ku ka shpalosur zotimet e tij për një qeverisje lokale që garanton barazi gjinore dhe politika të drejta për të gjithë qytetarët pa dallim.

Gjatë fjalimit të tij, Ismaili ka theksuar se barazia gjinore nuk është vetëm kauzë e grave, por edhe e burrave.

Ai po ashtu ka shtuar se në qeverisjen e tij do të zbatohet parimi 50/50 për përfaqësimin gjinor, duke thënë se kjo është një praktikë që e ka aplikuar edhe më herët.

Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti një tubim në Viti, ku kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shprehu mbështetjen e plotë për kandidatin e kësaj partie për kryetar komune, Sokol Haliti, në zgjedhjet e 12 tetorit.

Abdixhiku e cilësoi Vitinë si djep të punës dhe ndershmërisë, duke theksuar zhvillimet e realizuara gjatë qeverisjes së LDK-së.

“Vitia nuk është vetëm një komunë në hartën e Kosovës. Vitia është djepi i punës dhe i ndershmërisë. Vitia është vendi ku djersa e bujqve e ushqen gjithë vendin, ku tradita kombëtare e lidhur me energjinë e rinisë i japin Kosovës shpresë për nesër.

Kurse AAK mbajti tubim në Deçan.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, mori pjesë në takimin me gratë e komunës së Deçanit, në përkrahje të kandidatit të kësaj partie për kryetar të Deçanit në zgjedhjet e 12 tetorit Bashkim Ramosaj.

“Sot, në takim me gratë deçanase, pata nderin të bisedoj me ato që kanë qenë pjesë e çdo etape të historisë sonë. Gratë e Deçanit kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në përpjekjet për liri, ndërsa sot janë të angazhuara fuqishëm në zhvillimin dhe vendimmarrjen e komunës.
Në qeverisjen e kryetarit Bashkim Ramosaj, ato kanë pasur hapësirën e merituar, duke qenë pjesë e vendimmarrjes dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në projekte e procese që i kanë dhënë zhvillim Deçanit.
Mbështetja e tyre e dëshmuar sot është garancia më e fortë për vazhdimin e një pune që nuk ndalet”, ka thënë Harandinaj.

 

By US6