Prishtinë 30 Shtator 2025
Prej më shumë se tri javësh, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës po marrin pjesë në gërmimet që po zhvillohen në lokacionin Kozhle, në rrethinën e Novi Pazarit, në territorin e Serbisë.
Sipas informacioneve të mbledhura nga dëshmitarë, dyshohet se në këtë zonë mund të gjenden mbetje mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
“Puna dhe kërkimi nuk do të ndalen derisa të dihet fati dhe vendndodhja e secilit person të zhdukur me forcë gjatë luftës,” thuhet në një deklaratë zyrtare nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Derisa gërmimet po vazhdojnë, Instituti konfirmon se ekspertët kosovarë po punojnë në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in, si dhe me organizata të tjera ndërkombëtare, të cilat ofrojnë mbështetje teknike dhe logjistike për zbardhjen e këtyre rasteve.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani në territorin e Serbisë janë identifikuar pesë varreza masive, nga të cilat janë zhvarrosur mbetjet e rreth 950 personave shqiptarë, të cilët ishin zhdukur me forcë gjatë viteve 1998–1999.
Këto zhvarrime janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për zbardhjen e fatit të më shumë se 1600 personave që ende figurojnë të zhdukur nga lufta në Kosovë.
“Instituti mbetet i përkushtuar që të japë kontributin e tij profesional në zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur dhe në ofrimin e drejtësisë për familjet e tyre,” thuhet më tej në njoftim.
Autoritetet në Kosovë dhe organizatat ndërkombëtare të përfshira në këtë proces kanë theksuar se bashkëpunimi rajonal mbetet kyç për të identifikuar të gjitha vendndodhjet e mundshme të varrezave masive, të cilat ende nuk janë zbuluar.
Procesi është i ngadalshëm dhe i ndjeshëm, por autoritetet konfirmojnë se çdo hap i marrë është i bazuar në dëshmi dhe informacione të verifikuara.

Blakaj: Që nga marrëveshja në Bruksel, s’kemi parë rezultate pozitive për personat e zhdukur
Aksidenti vdekjeprurës në vendpunishte, Inspektorati i Punës: Shkaku ende nuk dihet
Familjarët e të pagjeturve mirëpresin nisjen e gërmimeve në Zubin Potok
Sveçla, nga Zubin-Potoku: Nuk do të ndalemi deri në gjetjen e trupit të fundit
Instituti i Mjekësisë Ligjore: Mbetjet mortore në Zubin-Potok janë të njerëzve, puna do të vazhdojë
Gjenden mbetje mortore, dyshohet se janë të 23 intelektualëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë
Drita kualifikohet në raundin e tretë të Conference League
Kongresisti Wilson i kërkon Serbisë t’i ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Rusia, Kina e Irani