Beograd, 16 Gusht 2025
Policia e sulmoi pabesisht nga pas gazetarin Vuk Cvijiq
Pasojat e spërkatjes me sprej kulmuan me verbim të plotë për të paktën një orë. Më pas, ndihmën mjekësore ma ofruan mjekët në Spitalin e Zemun-it, të cilët konstatuan të gjitha pasojat e sulmit ndaj meje.
Vuk Cvijiq, gazetar i Radarit, është sulmuar mbrëmë nga policia me një substancë kimike gjatë protestës së qytetarëve në Beograd kundër represionit të regjimit, ndërsa po kryente detyrën e tij si gazetar. Sulmi, sipas vetë Cvijiqit, ndodhi papritur, në një moment kur në Rrugën e Knez Miloš-it nuk po ndodhte asgjë.
Redaksia e Radarit e dënon ashpër përdorimin brutal të mjeteve të palejuara ndaj gazetarëve dhe kërkon nga prokuroria të hetojë urgjentisht se kush e rrezikoi Vuk Cvijiqin dhe çfarë substance u përdor në sprejin me të cilin u spërkat nga polici.
Pak para se të niste ndërhyrja e policisë, një polic me pajisje mbrojtëse doli pak përpara kordonit dhe e sulmoi nga pas gazetarin e Radarit, Vuk Cvijiqin. Edhe pse në atë moment ndodheshin aty shumë njerëz, polici iu afrua drejtpërdrejt Cvijiqit dhe e spërkati me një lëng kimik të panjohur.
Siç shpjegon Cvijiqi, ai nuk e pa policin kur iu afrua nga pas, por e panë kolegët gazetarë me të cilët po qëndronte dhe bisedonte. Ndër dëshmitarët e sulmit ishte edhe gazetari i televizionit Nova, Marko Noviqiq. Sipas dëshmisë së Cvijiqit, ai po qëndronte me kolegët dhe miqtë përballë kordonit të policisë në Rrugën e Knez Miloš-it, pranë Shtabit të Përgjithshëm.
“Polici me pajisje mbrojtëse më erdhi nga pas dhe më spërkati në qafë dhe anën e djathtë të fytyrës. Ai e bëri këtë pa asnjë arsye, në një moment kur nuk po ndodhte asgjë.”
“Fillimisht mendova se ishte ndonjë lëng i zakonshëm, ujë ndoshta, por kolegët më thanë se më kishte spërkatur një polic nga pas. Ai e bëri këtë krejt papritur, pa asnjë shkak,” shpjegon Cvijiqi.
Reagimi nuk ishte i menjëhershëm – pas pak kohe ai filloi të ndjente djegie në qafë.
“Pasojat e spërkatjes kulmuan me faktin që isha plotësisht i verbër për të paktën një orë. Më ndihmoi një farmaciste që më dha ujë dhe tretësirë fiziologjike për shpëlarje. Më pas, ndihmën mjekësore ma ofruan mjekët në Spitalin e Zemun-it, që ishte në gatishmëri. Ata konstatuan të gjitha pasojat e sulmit ndaj meje,” përshkroi Cvijiqi dhe shtoi se simptomat i ndjeu deri në orët e para të mëngjesit.
“Fillimisht më digjte qafa, më pas verbova plotësisht, dhe më vonë skuqja dhe djegia u përhapën edhe në duar,” shton ai.
Ky ishte sulmi i dytë i policisë ndaj Cvijiqit që nga fillimi i protestave. Më parë, ai ishte sulmuar para Fakultetit Juridik kur policët tentuan ta ndalonin ta kryente punën e tij. Ndërsa po filmonte arrestimin dhe rrahjen brutale të studentëve, ai u sulmua fizikisht nga policët që tentuan ta pengonin të dokumentonte ngjarjen me telefonin e tij.


Miliband: Rusia nuk po e fiton luftën në Ukrainë
Sulm me dron rus në stacionin hekurudhor në Dnipro, 13 të vrarë dhe 10 të plagosur
Shkon në 64 numri i viktimave nga përplasja e trenave në Spanjë
Tragjedi hekurudhore në Spanjë, 46 të vdekur nga përplasja mes trenave
Trump mund të urdhërojë sulm të ri ndaj Iranit, ushtria amerikane në gatishmëri
Melania Trump ndërmjetëson armëpushimin mes Rusisë dhe Ukrainës në një qytet
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit