Prishtinë, 23 tetor 2026 06:50
Dhjetë persona janë vënë nën hetim për dyshimin se kanë qenë të përfshirë në kontrabandimin e mallrave nga Serbia në Kosovë përmes rrugëve ilegale në veri të vendit.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se të dyshuarit u kapën gjatë një aksioni të zhvilluar të enjten. Ata u paraqitën para gjykatës për seancë dëgjimore dhe më pas u liruan, ndërsa hetimet ndaj tyre po vazhdojnë.
Aksioni është rezultat i një hetimi disa-mujor të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Doganën e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Sipas Prokurorisë, hetimet kanë nisur në prill të këtij viti, ndërsa nga maji deri në shtator janë zhvilluar mbi 20 aksione në zonat kufitare dhe në komunat e Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut.
Gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 22 automjete, përfshirë kamionë, furgonë, xhipa dhe vetura, si dhe mallra me vlerë doganore mbi 200 mijë euro, pa përfshirë taksat dhe detyrimet e tjera.
Mallrat e sekuestruara përfshijnë produkte ushqimore, pije alkoolike dhe joalkoolike, pije energjike, cigare, barna pa banderola, produkte higjienike dhe tekstile, përfshirë veshje me marka të mbrojtura tregtare.
Në një prej rasteve, autoritetet kanë gjetur edhe 504 shpezë të gjalla, pa dokumentacion për origjinën dhe pa certifikatë shëndetësore. Ato janë asgjësuar me vendim të inspektorit veterinar, për shkak të rrezikut për shëndetin e njerëzve.
Sipas Prokurorisë, automjetet e përdorura për kontrabandë në disa raste ishin modifikuar duke u hequr ulëset e pasme, ndërsa drejtuesit dyshohet se i braktisnin ato dhe largoheshin sapo vërenin praninë e policisë.
Autoritetet thonë se mallrat futeshin nga Serbia përmes rrugëve ilegale në zonat malore, duke iu shmangur kontrolleve doganore, ndërsa më pas depozitoheshin në objekte të marra me qira dhe shpërndaheshin në treg.
Rasti po hetohet për veprat penale “Kontrabandimi i mallrave” dhe “Tregtia e ndaluar”, ndërsa procedura penale ndaj personave të dyshuar është në vazhdim.

Presidentja kthen në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara
Mbrojtja e Kadri Veselit e ndërpret kontratën me dy avokatë
Aksion kundër kontrabandës në veri: Sekuestrohen mallra mbi 200 mijë euro dhe 22 automjete
Pas më shumë se dy dekadash, rivarroset Liridona Deliu, që vdiq pa i mbushur dy vjet gjatë luftës
Gjini dorëzon kallëzim penal ndaj Daçiqit, kërkon ndalimin e hyrjes së tij në Kosovë
Millorad Gjokoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Kosovë
Gjenerata e re e mbrojtjes së Kosovës, FSK me rekrutë të rinj
Kontrabanda nën shënjestër në veri, institucionet intensifikojnë aksionet kundër veprimtarive ilegale
Kurti: Krimineli Radoiçiq bredh i lirë në publik dhe mbrohet nga Serbia