Mitrovicë e Veriut 22 tetor 2026 12:43
prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar një aksion të gjerë kundër kontrabandës në disa lokacione në veri të vendit, pas një hetimi disa-mujor që ka nisur në prill të këtij viti.
Sipas Prokurorisë, gjatë aksioneve të zhvilluara në zonat kufitare dhe në vendbanimet e Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, janë sekuestruar më shumë se 22 automjete, përfshirë kamionë, furgonë, xhipa dhe vetura, si dhe mallra me vlerë doganore mbi 200 mijë euro.
Në mesin e mallrave të sekuestruara janë produkte ushqimore, pije alkoolike, joalkoolike dhe energjike, cigare, barna pa banderola, produkte higjienike dhe tekstil. Po ashtu, janë gjetur edhe veshje me marka të mbrojtura tregtare, pa autorizimin apo licencën përkatëse.
Hetimet janë zhvilluar nga Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Doganën e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Prokuroria thotë se që nga 24 prilli janë zbatuar masa të veçanta hetimore, përmes të cilave janë identifikuar rrugët ilegale, lokacionet e shkarkimit dhe personat e dyshuar për përfshirje në aktivitetin e kontrabandës.
Gjatë periudhës maj-shtator janë realizuar më shumë se 20 aksione në terren. Sipas Prokurorisë, automjetet e përdorura për kontrabandë në shumicën e rasteve ishin modifikuar, duke iu hequr ulëset e pasme për të krijuar hapësirë për transportimin e mallrave.
Autoritetet kanë konstatuar gjithashtu se në disa raste, drejtuesit e automjeteve, sapo kanë vërejtur praninë e zyrtarëve policorë, i kanë braktisur automjetet dhe janë larguar nga vendi.
Në një prej rasteve të hetuara janë gjetur edhe 504 shpezë të gjalla, pa origjinë dhe pa certifikatë shëndetësore. Me vendim të inspektorit veterinar, ato janë asgjësuar për shkak të rrezikut që paraqisnin për shëndetin e njerëzve.
Prokuroria thekson se qëllimi i hetimeve ka qenë parandalimi i futjes dhe shpërndarjes në treg të mallrave që nuk i janë nënshtruar procedurave të importit dhe kontrollit doganor, veçanërisht produkteve ushqimore dhe barnave, për të cilat nuk dihet origjina, mënyra e ruajtjes, transporti apo afati i përdorimit.
Rasti po hetohet për veprat penale “Kontrabandimi i mallrave” dhe “Tregtia e ndaluar”. Prokuroria ka bërë të ditur se personat e dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari janë identifikuar dhe se procedura penale ndaj tyre është duke vazhduar.
Sipas Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, hetimet tashmë janë në fazën përfundimtare, ndërsa pas vlerësimit të të gjitha provave të mbledhura, Prokurori i Shtetit do të marrë vendimet përkatëse brenda afateve ligjore.

Pas më shumë se dy dekadash, rivarroset Liridona Deliu, që vdiq pa i mbushur dy vjet gjatë luftës
Gjini dorëzon kallëzim penal ndaj Daçiqit, kërkon ndalimin e hyrjes së tij në Kosovë
Millorad Gjokoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Kosovë
Egzon Shalti dënohet me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit
Mbi 1.54 miliardë euro investime në bizneset e Kosovës gjatë vitit 2025
Mungesa e prokurorit të rastit ndërpret seancën për Ibër-Lepencin
Lista Serbe në shërbim të Vuçiqit, Fetoshi: Presion ndaj votuesve dhe mobilizim elektoral në Kosovë
“Vatra” u bën thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë “Koalicionin Shqiptar”
Aksion policor në veri të Kosovës, kontrolle në disa lokacione