Skenderaj, 22 tetor 2026 07:35
Pas më shumë se dy dekadash në pasiguri për vendndodhjen e mbetjeve të saj mortore, Liridona Deliu është rivarrosur në fshatin Kopiliq të Skenderajt. Ajo kishte ndërruar jetë në prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, pa i mbushur ende dy vjet.
Lajmi është bërë i ditur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, i cili njoftoi se gjetja dhe identifikimi i mbetjeve mortore u mundësuan falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse.
Sipas Komisionit, familja Deliu për vite me radhë nuk e dinte se ku ndodheshin mbetjet mortore të Liridonës, duke jetuar me dhimbjen e humbjes dhe pa pasur një vend ku mund ta nderonte kujtimin e saj.
Për këtë arsye, familja kishte kërkuar ndihmën e institucioneve për gjetjen dhe identifikimin e tyre.
Procesi u realizua përmes angazhimit të përbashkët të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Institutit për Mjekësi Ligjore. Identifikimi u bë përmes analizës së ADN-së.
Rivarrimi u realizua në përputhje me kërkesën e familjes Deliu, duke i dhënë fund pritjes shumëvjeçare për të pasur një vend ku të kujtohet Liridona.
“Në këtë ditë të dhimbshme, qëndrojmë pranë familjes Deliu”, thuhet në njoftimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Gjini dorëzon kallëzim penal ndaj Daçiqit, kërkon ndalimin e hyrjes së tij në Kosovë
Millorad Gjokoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Kosovë
Egzon Shalti dënohet me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit
Mbi 1.54 miliardë euro investime në bizneset e Kosovës gjatë vitit 2025
Mungesa e prokurorit të rastit ndërpret seancën për Ibër-Lepencin
Vazhdon gjykimi për sulmin në Ibër-Lepenc, dëgjohen dëshmitarët
Pas më shumë se dy dekadash, rivarroset Liridona Deliu, që vdiq pa i mbushur dy vjet gjatë luftës
Kosova dhe Hungaria thellojnë bashkëpunimin në fushën e bibliotekave
Kurti: Marrëveshjet nga Procesi i Berlinit duhet të zbatohen nga të gjithë