Prishtinë, 21 tetor 2026 15:44
Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Vendimin, Hamza e ka bërë të ditur sot para Kryesisë së PDK-së, duke thënë se dorëheqja e tij i hap rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda partisë. Sipas tij, në këtë proces do të jenë anëtarët e PDK-së ata që do të vendosin për drejtimin e ardhshëm të partisë.
Hamza ka theksuar nevojën për përfshirje më të madhe të të rinjve në strukturat dhe udhëheqjen e partisë, duke u dhënë atyre mundësi për të marrë përgjegjësi.
Ai ka thënë se përgjegjësitë që i ka marrë që nga viti 2020, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së, i ka konsideruar si detyrim ndaj partisë dhe Kosovës dhe jo si ambicie personale.
Gjatë këtyre viteve, Hamza ka kandiduar për kryetar të Mitrovicës, ka qenë kandidat i PDK-së për kryeministër në tri palë zgjedhje dhe ka udhëhequr partinë.
Sipas tij, gjatë periudhës së drejtimit të PDK-së, fokusi kryesor ka qenë ruajtja e unitetit të partisë, funksionimi i strukturave të saj dhe ruajtja e besimit të anëtarëve dhe votuesve.
“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, ka deklaruar Hamza.
Në fjalën e tij, ai është ndalur edhe te ish-krerët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Hamza ka shprehur zhgënjimin e tij për atë që e ka cilësuar si padrejtësi ndaj tyre, duke thënë se përpjekjet për drejtësi, zbardhjen e së vërtetës dhe kthimin e tyre pranë familjeve dhe Kosovës do të vazhdojnë.
Në fund, ai ka falënderuar anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e PDK-së për besimin dhe përkrahjen e dhënë gjatë periudhës së drejtimit të tij.
Hamza ka theksuar se interesi i partisë dhe i vendit duhet të jetë mbi interesin personal.
“Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”, ka përfunduar Hamza.

O’Brennan: Serbia nuk është neutrale, por aleatja më e afërt e Rusisë në Evropë
Konjufca: Serbia po e shfrytëzon OKB-në për qëllime politike
DASH: Kosova shënon përparim në luftën kundër trafikimit me njerëz, por sfidat vazhdojnë
Kamberi: Bashkimin e kemi arritur, synojmë më shumë se dy mandate
Propaganda serbe përmes filmave, dokumentari i ri glorifikon Korpusin e Prishtinës
Kamberi: Paqja nuk mund të ndërtohet pa të drejtat e pakicave
Gjini dorëzon kallëzim penal ndaj Daçiqit, kërkon ndalimin e hyrjes së tij në Kosovë
Bedri Hamza jep dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të PDK-së
Millorad Gjokoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Kosovë