Mitrovicë e Veriut, gusht 2025
Edhe pse sistemi bankar i Kosovës është formalish i pranishëm në gjithë territorin e vendit, në komunat me shumicë serbe në veri, përfshirë Mitrovicën e Veriut, prania e tij në terren është bërë më e dukshme vetëm gjatë muajve të fundit. Janë hapur disa ekspozitura të reja të bankave të Kosovës, duke zgjeruar kështu qasjen e qytetarëve ndaj shërbimeve financiare në këtë pjesë të vendit.
Në veri aktualisht operojnë më shumë se dhjetë banka të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës, të cilat më parë nuk kishin degë në këtë rajon. Hapja e tyre është pjesë e një plani më të gjerë për zgjerimin e sistemit financiar në gjithë territorin e Kosovës.
“Kam llogari në bankën NLB sepse familjarët nga jashtë më kanë thënë se u lehtësohet t’i dërgojnë para në këtë mënyrë, por rrallë shkoj në banka të tjera. Shumë rrallë shkoj në bankë në veri, sidomos në këto rrethana”, thotë Senad Gashi nga lagjja “Mahalla e Boshnjakëve”.
Banka Qendrore e Kosovës ka paralajmëruar disa herë këtë hap, mirëpo përpjekjet e mëhershme për hapjen e ekspoziturave shpesh kanë hasur në rezistencë nga ana e banorëve lokalë dhe institucioneve që funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë. Vetëm së fundmi është mundësuar funksionimi i papenguar i një numri më të madh bankash në komunat veriore.
Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e qarkullimit financiar – përfshirë pagesat e pagave dhe ndihmave sociale nga Serbia – ende realizohet përmes bankave që nuk janë të licencuara nga rregullatori kosovar dhe që formalisht operojnë jashtë territorit të Kosovës. Qytetarët, veçanërisht ata që marrin të ardhura nga Serbia, vazhdojnë të tërheqin para në territorin e Serbisë, kryesisht nëpërmjet pikave kufitare në Jarinjë, Bërnjak dhe Merdarë.
Kjo situatë krijon një boshllëk juridik dhe mospërputhje me legjislacionin e Kosovës, por edhe vështirësi shtesë për qytetarët që ndodhen midis dy sistemeve të ndryshme.
Pavarësisht sfidave, bankat kosovare mbeten të hapura për të gjithë qytetarët. Funksionimi i tyre i suksesshëm dhe integrimi më i gjerë në komunitetin lokal mbeten elemente të rëndësishme në procesin e stabilizimit ekonomik dhe ndërtimit të një sistemi të unifikuar financiar në Kosovë.

Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Mbi 2 mijë të mbijetuar me status zyrtar, drejtësia mbetet sfidë
Emrat e të dyshuarve: Serbë që dyshohet se morën pjesë në krime lufte
Dy serbë nga Mali i Zi që luftojnë për Rusinë kërcënojnë kryeministrin Kurti
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të korrigjohet sa më parë
Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Rusia e zhvendos luftën përtej frontit, sa e përgatitur është Kosova për kërcënimet hibride?
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit