Prishtinë, 23 shtator 2026 12:05
Trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, ka folur me superlativa për Kosovën para duelit në “Fadil Vokrri”, duke vlerësuar rritjen e përfaqësueses kosovare dhe cilësinë e lojtarëve të saj. Islandezi ka pranuar se skuadra e tij do të ishte e kënaqur edhe me një barazim në Prishtinë.
Trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, ka folur me respekt të madh për Kosovën në konferencën për media para përballjes në “Fadil Vokrri”, në kuadër të Nations League.
Tekniku irlandez e ka cilësuar sfidën si të vështirë, duke theksuar se skuadra e tij do ta konsideronte edhe barazimin rezultat pozitiv.
“Padyshim që do të jetë një ndeshje e vështirë për ne, të gjithë e dimë këtë. I kemi analizuar mjaft mirë dhe i kemi shqyrtuar pikat e tyre të forta, të cilat i kanë shumë. Do të ishim të lumtur të fitonim këtu edhe një barazim, ndeshja e parë e një turneu”, deklaroi Hallgrimsson.
Ai foli edhe për zhvillimin e përfaqësueses së Kosovës ndër vite, duke veçuar progresin në renditjen botërore.
“Para së gjithash, jam impresionuar duke parë rritjen nga viti 2016, kur ishin të 190-të në renditjen e FIFA-s, sot janë në vendin e 78-të, kështu që kjo është një rritje e jashtëzakonshme. Shumë mirë për federatën këtu për mënyrën se si i kanë zhvilluar lojtarët e tyre”, shtoi ai.
Hallgrimsson kujtoi edhe përballjet e mëhershme dhe mënyrën se si ka ndryshuar ekipi kosovar.
“Duke e njohur Kosovën për kaq shumë kohë, ne luajtëm kundër Islandës në ditët e para të ekipit kombëtar. Ishte e vështirë për analistin në atë kohë, kishte lojtarë të rinj që vinin”, tha ai.
Trajneri i Irlandës theksoi se skuadra e tij duhet të jetë maksimalisht e përqendruar përballë Kosovës.
“Sigurisht, gjithçka varet nga mënyra se si luajmë. Mendoj se lojtarët janë gati për këtë. Sigurisht, duhet të përqendrohemi në lojën kundër tyre. Kjo është një detyrë e vështirë për momentin. Por kur bëhet fjalë për ndeshjen, do të jemi plotësisht të gatshëm për atë që do të vijë”.
Në veçanti, ai përmendi Vedat Muriqin si një nga rreziqet kryesore për mbrojtjen irlandeze, ndërsa vlerësoi edhe Fisnik Asllanin.
“Lojtari që duhet t’i kushtojmë vëmendje është Vedat Muriqi, golashënuesi i dytë në La Liga sezonin e kaluar, duke bërë paraqitje të mëdha. Po ashtu, ai shënoi katër gola javën e kaluar për Fenerbahçen. Gjithashtu, Fisnik Asllani është një lojtar i shkëlqyeshëm. Por Kosova ka në përgjithësi ekip të mirë të cilët luajnë në klube të mëdha si Juventusi, Besiktasi, Udinese”, tha Hallgrimsson.

Kosova me synime për dy sfidat e fundit në Ligën e Kombeve, publikohet lista
Kosova mëson kundërshtarët në Ligën e Kombeve, e presin tri përballje interesante
Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Grand Slamin e Abu Dabit
Ballkani triumfon bindshëm ndaj Drenicës
Nacionalizmi serb shfaqet edhe në futboll, tifozët e “Yllit të Kuq” djegin figurat e Kurtit dhe Thaçit
Barcelona-Real Madrid: ‘El Clasico’ që mund ta ndryshojë historinë
Aksident fatal te Stacioni i Autobusëve, humb jetën një këmbësore
BQK-ja dorëzon aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në SEPA, synohen pagesa më të lira dhe më të shpejta
Kurti: 20 baza policore janë ndërtuar e fuqizuar në veri të Kosovës