Prishtinë, 22 shtator 2026 07:29
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka caktuar seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Muharrem Ibraj, i cili po akuzohet për veprën penale krime të luftës kundër popullsisë civile.
Sipas njoftimit të gjykatës, çështja penale është regjistruar me numër PS.nr.17/2025, ndërsa aktakuza është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 19 mars 2025, në kuadër të lëndës PPS.nr.32/2010.
Gjykata ka bërë të ditur se seanca do të mbahet më 28 shtator 2026, në ora 09:30, në sallën D17 të Pallatit të Drejtësisë në Hajvali. Seanca do të udhëhiqet nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani Hajra.
Përmes njoftimit, gjykata i ka bërë thirrje Muharrem Ibrajt që të paraqitet dhe të dorëzohet para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës, në mënyrë që procesi gjyqësor të zhvillohet në praninë e tij.
Po ashtu, gjykata ka kërkuar nga të gjithë personat që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e Ibrajt që t’ua përcjellin ato Policisë së Kosovës ose organeve të tjera kompetente.
Ibraj akuzohet për krime të luftës kundër popullsisë civile, sipas nenit 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së, i cili ishte në fuqi në kohën e pretenduar të kryerjes së veprës penale.

Pas 15 muajsh në burgun e Serbisë, lirohet Behar Preniqi nga Obiliqi
Kosova dhe Banka Botërore nënshkruajnë marrëveshje për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale
Në Prilluzhë qytetari hedh në shitje shtëpinë për shkak të korrupsionit të Listës Serbe
Lidhjet e “Alta Bank” me Milan Radoiçiçin dhe Zvonko Veselinoviqin
Strategjia për Apelin në Hagë, Konjufca: Nuk do të bëhen publike diskutimet
22 persona arrestohen në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm në Prizren, Suharekë dhe Dragash
Forcohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri në operacionet e kërkim-shpëtimit