Prishtinë, 2 shtator 2026 12:22
Sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku, po e cilëson si të veçantë eksperiencën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, derisa thekson se organizimi i këtij eventi po shërben edhe si mundësi e mirë për të marrë mësime për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Dushku ka treguar për KosovaPress se akomodimi në anije ka qenë një eksperiencë e pazakontë në ditët e para, por se tash sportistët dhe delegacionet janë ambientuar me jetën në anije.
“Ditët e para ka qenë shumë e vështirë të akomodohemi në aspektin mental që jemi në anije. E tani po harroj krejt që jemi në anije, po më duket vetja sikur në hotel. Por normalisht, hotel super luksoz që organizatori ka ditur ta zgjedhë këtë problemin e çështjes së hoteleve që e kanë pasur edhe kanë vendosur në dy anije t’i akomodojnë të gjithë sportistët dhe delegacionet përcjellëse. Unë po besoj që jemi këtu për të jetuar diçka që nuk e kemi përjetuar deri më tani. Së paku këtu po flas për përvojën time”, tha fillimisht Dushku.
Sekretarja e FBK-së ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Taranto po mban shënime të vazhdueshme për aspekte të ndryshme të organizimit, me qëllim që përvojat e fituara këtu të shërbejnë për përgatitjet e Kosovës për vitin 2030.
“E kam bërë një shënim që po i shkruaj në telefon, vëzhgimet nga Taranto 2026. Palestrat, pastaj akomodimi edhe transporti edhe të gjitha këto që janë pikat kryesisht më të dobëta të të gjitha ngjarjeve, jo vetëm këtu. Atëherë jam duke marrë shënime edhe në aspektin organizativ të komunikimit ndërmjet njerëzve, mes nesh edhe mes organizatorit edhe gjithë të tjerëve. Kështu që krejt këto çka po marrim vëzhgime, mësime nga kjo është që me qenë sa më të përgatitur për Prishtina 2030. Ne kemi pasur rastin me qenë bashkë në palestra shumë të nxehta, pavarësisht që duhet të jenë palestra normalisht të freskëta”, u shpreh tutje Dushku.
Dushku ka folur edhe për basketbollin 3×3, i cili në Taranto po shërben si një mundësi për të testuar basketbollistë të rinj që mund të jenë pjesë e Kosovës në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
“Ne të dyja kategoritë që i kemi, edhe te vajzat edhe te djemtë, jemi munduar ta bëjmë një përzgjedhje që do të investojnë në ta. Jo në të gjithë, sepse disa prej tyre në vitin 2030 nuk do të jenë 23 vjeç. Edhe rregulli në Lojërat Mesdhetare për basketbollin 3×3 është që duhet të jetë nën 23 vjeç. Disa vajza edhe djem janë të moshës 18-19 vjeçare që do të jenë pjesë e që i kemi testuar për Taranto për Prishtina 2030”, theksoi Dushku.
Për t’u kthyer te situata e basketbollit në Kosovë, Dushku ka folur për procesin e licencimit të klubeve të basketbollit, duke nënvizuar se FBK synon që kriteret e licencimit të mos mbeten vetëm në aspektin formal, por të zbatohen në praktikë nga klubet.
“Një pjesë e konsiderueshme e klubeve janë licencuar plotësisht, ka të tjera që propozohen, sepse ende nuk ka shkuar dokumenti te bordi, do të propozohen me kusht, edhe të tjera që duhet t’i plotësojnë disa dokumente. Por Federata e Basketbollit është e vendosur në këtë drejtim që procesin e licencimit klubet mos ta marrin vetëm si diçka që e plotësojnë në letër. Tashmë kemi kaluar në një nivel tjetër që duhet të gjitha ato që kërkohen me qenë pjesë e implementimit edhe zbatimit të tyre nëpër klubet e tyre. Edhe krejt kjo, fokusi kryesor është te zhvillimi i gjeneratave të reja, që është paraqitja e 4 deri 5 gjeneratave të reja te Superliga e meshkujve edhe 3 te Superliga e femrave”, tha Dushku në fund.

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, mundësi historike për investime dhe zhvillim në Kosovë
Kosova fiton katër medalje në Botërorin e Muaythait
Kampioni bie në Drenas, Feronikeli ’74 merr fitoren e parë në kampionat
BILD raporton se Erblin Osmani ende nuk e ka zgjedhur Kosovën
Lutfi Dalipi, 20-vjeçari ylli shqiptar në Zvicër: Katër gola e shtatë asistime – e kontaktojnë edhe kombëtarja e Portugalisë
“Shkruhet historia”, Kosova merr flamurin e Lojërave Mesdhetare 2030
Albulena Haxhiu porosi familjes së Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit: Kosova është me ju
Specialja dënon Kadri Veselin me 18 vjet burgim
13 vjet burg për Rexhep Selimin
Specialja dënon Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim