Prishtinë, 1 shtator 2026 20:33
Në Kampin Nacional në Hajvali është inauguruar sot zyrtarisht Akademia e Talenteve e FIFA-s në Kosovë një projekt i rëndësishëm për zhvillimin dhe identifikimin e talenteve të reja të futbollit në Kosovë.
Në ceremoninë inauguruese morën pjesë përfaqësues të FIFA-s, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, përfaqësues të institucioneve, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, përfaqësues të komunitetit të futbollit, trajnerë, prindër, si dhe pjesëtarë të “Gjeneratës së Artë” të futbollit kosovar.
Pjesë e veçantë e ceremonisë ishin edhe 40 talentet e përzgjedhura të akademisë, 20 vajza dhe 20 djem, të cilët morën medaljet e pjesëmarrjes në këtë projekt.
Ceremonia u shoqërua edhe me tinguj të traditës dhe shpirtit të Kosovës. Kori “Okarina” interpretoi këngën “Baresha”, ndërsa më pas atmosfera u pasurua me interpretimin e këngës “Unë jam shqipe nga Kosova”.
Gjatë ceremonisë u prezantuan edhe objektivat dhe vizioni i akademisë për të ardhmen e futbollit kosovar. Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, së bashku me konsulentin teknik rajonal të FIFA-s, Tomas Danilevicius, dorëzuan mburojën simbolike të akademisë, e cila tashmë ka hapësirën e saj të dedikuar në Kampin Nacional.
Ademi tha se besimi i FIFA-s në Kosovë është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe se akademia krijon mundësi të reja për talentet e rinj. Ai theksoi se përveç zhvillimit të aftësive futbollistike, akademia do t’u mësojë fëmijëve edhe disiplinën, bashkëpunimin dhe respektin ndaj njëri-tjetrit.
“Është shumë e rëndësishme besimi i FIFA-s për ne, që na ka mundësuar të krijojmë kushte për këtë talent. Sepse normalisht ne nuk i kemi pasur kushtet, i dimë rrethanat pse, por fatmirësisht ne kemi talentin, kemi fëmijë me të cilët mund të punojmë. Gjë që na e kanë lakmi, mund të themi, pothaujse të gjithë sepse fëmijët tanë janë fëmijët më të shëndoshë, më të bukur dhe më të përkushtuar në botë. Kjo është një falënderim dhe është një mirënjohje për të gjithë prindërit, të cilët i rrisin fëmijët në frymën patriotike, në frymën atdhetare dhe sigurisht i kanë edukuar ashtu që të jenë të disiplinuar, dhe po ashtu e kërkon edhe, edhe FIFA Academy, që përveç mësimit të lojës së futbollit dhe kalitjes, këtu mësojnë edhe disiplinën, këtu mësojnë me dasht’ njëri-tjetrin dhe çfarë është më e rëndësishmja punën e përbashkët të cilën e bëjnë të gjitha ekipet tona dhe sigurisht këta.”, deklaroi Ademi.
Ndërkaq, ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, theksoi se Qeveria e Kosovës e sheh zhvillimin e sportit dhe fuqizimin e të rinjve si investim strategjik, duke nënvizuar rëndësinë e mundësive të barabarta për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve. Ai vlerësoi bashkëpunimin me federatat sportive dhe FIFA-n, si dhe ndikimin afatgjatë të Akademisë së Talenteve në zhvillimin e futbollit në Kosovë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron zhvillimin e sportit dhe fuqizimin e të rinjve si një investim strategjik për vendin. Ambicia jonë duhet të jetë që një fëmijë i talentuar, pavarësisht se në cilën pjesë të Kosovës jeton apo cilat janë rrethanat e tij, të ketë mundësi të identifikohet, të dallohet, të mbështetet dhe të zhvillohet në një sistem profesional. Partneriteti ndërmjet institucioneve, federatave sportive dhe organizatave ndërkombëtare si FIFA, është thelbësor për krijimin e strukturave të qëndrueshme dhe rezultateve afatgjata. Veçanërisht inkurajues është fakti që kjo akademi synon të ketë ndikim edhe përtej lojtarëve që stërviten brenda saj”, tha Gashani.
Në anën tjetër, konsulenti teknik rajonal i FIFA-s, Tomas Danilevicius, tha se kjo nismë mund të shndërrohet në model për vendet e tjera të rajonit.
“Unë besoj fuqimisht se kjo akademi do të shndërrohet në një model për t’u ndjekur në rajon. Besoj se e gjithë hapësira ballkanike do ta shikojë Kosovën dhe këtë akademi si një shembull të suksesit. Kjo është edhe rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer që prej vitesh ekziston ndërmjet FIFA-s dhe Federatës së Futbollit të Kosovës”, u shpreh Danilevicius.
Ndërkohë, Arnar Vidarsson, përgjegjës i FIFA-s për Skemën e Zhvillimit të Talenteve (TDS) në Kosovë theksoi rëndësinë e Akademisë së Talenteve për identifikimin dhe zhvillimin e futbollistëve të rinj, edukimin e trajnerëve dhe forcimin e bashkëpunimit FIFA–FFK, duke vlerësuar se e ardhmja e futbollit të Kosovës është shumë e ndritur.
Akademia e Talenteve e FIFA-s në Kosovë, është pjesë e Skemës për Zhvillimin e Talenteve dhe synon identifikimin, edukimin dhe zhvillimin afatgjatë të futbollistëve të rinj.
Sipas zyrtarëve të pranishëm në ceremoni, akademia në Kosovë shënon një moment historik, pasi është e para në Ballkan, e treta në Evropë dhe e 15-ta në botë në kuadër të këtij programi të FIFA-s. Veçantinë e saj e shton edhe përfshirja e barabartë e vajzave dhe djemve.
Pas përfundimit të ceremonisë inauguruese, 40 talentet e rinj zhvilluan seancën e parë stërvitore në fushën e gjelbër të Kampit Nacional.

Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Grand Slamin e Abu Dabit
Ballkani triumfon bindshëm ndaj Drenicës
Nacionalizmi serb shfaqet edhe në futboll, tifozët e “Yllit të Kuq” djegin figurat e Kurtit dhe Thaçit
Barcelona-Real Madrid: ‘El Clasico’ që mund ta ndryshojë historinë
Gjilani pret Llapin në hapje të xhiros së 11-të të Superligës
PSG-Barcelona, kryesfida e mbrëmjes në Ligën e Kampionëve
Kërcënohen me vrasje Ramush dhe Daut Haradinaj
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Aktivistët në Serbi po i heqin grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000