Prishtinë, 2 shtator 2026 09:00
Pas vitesh e rrethuar dhe e mbështetur me shtylla për shkak të rrezikut që paraqiste për kalimtarët, monumenti i trashëgimisë kulturore “Shtëpi banimi – Musli Hoxha” në qendër të Prishtinës më në fund pritet të restaurohet.
Ndërtesa, e cila daton nga viti 1927 dhe ndodhet në rrugën “Luan Haradinaj”, është konsideruar prej vitesh si një nga objektet me rrezikshmëri të lartë në kryeqytet. Për shkak të gjendjes së saj, në të kaluarën ajo ishte rrethuar dhe siguruar me konstruksione mbështetëse.
Pas pesë thirrjeve publike për realizimin e projektit të restaurimit, Ministria e Kulturës ka përzgjedhur kompaninë “Toni O.P.” për kryerjen e punimeve. Vlera e kontratës është rreth 119.8 mijë euro.
Objekti ishte përfshirë që në vitin 2016 në listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore me rrezikshmëri të lartë, ndërsa një vit më vonë Komuna e Prishtinës kishte ndërmarrë masa për rrethimin e tij, me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve.
“Shtëpia e Musli Hoxhës” tashmë gëzon edhe mbrojtje të përhershme si aset i trashëgimisë kulturore.
Përveç gjendjes së rënduar fizike, objekti është shoqëruar ndër vite edhe me probleme pronësore dhe çështje gjyqësore. Familja Hoxha ka kërkuar zgjidhje për statusin e pronës dhe çështjen e kompensimit.
Restaurimi pritet të rikthejë objektin në një gjendje të përshtatshme për ruajtjen e vlerave të tij historike dhe arkitektonike, duke eliminuar njëkohësisht rrezikun që prej vitesh ka paraqitur për qytetarët në një nga zonat më të frekuentuara të Prishtinës.

Filharmonia e Kosovës shkëlqen në skenën e Krakovit
Kosova në garë për “Oscar”-ët evropianë me “Dua” dhe “Shame and Money”
Kosovës i shtohen 13 objekte në listën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore
Shtëpia e Kulturës së Runikut të Skenderajt nga kujtesa lokale në skenën e New Yorkut
“Akordet e Kosovës” rikthehen me format të zgjeruar, përfshihen edhe fëmijët
Rreth 20 mijë vizitorë dhe mijëra libra të shitur në Festivalin për Fëmijë
Konjufca: Serbia po e shfrytëzon OKB-në për qëllime politike
Këshilli i Sigurimit i OKB-së kërkon që sulmuesit e Banjskës të mbahen përgjegjës
Radoiçiqi dhe Veselinoviqi përballen me akuza të reja për vrasje
Egzon Shalti dënohet me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit