Prishtinë, 31 gusht 2026 20:18
Në vendin tonë, janë edhe rreth 1600 persona të zhdukur me forcë gjatë luftës, të cilët çdo ditë kërkohen nga familjarët e tyre.
Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukura me Forcë, gjatë një diskutimi publik të mbajtur nga organizatat ndërkombëtare me familjarët e personave të zhdukur, u kërkua hapja e arkivave të Serbisë për gjetjen e këtyre personave.
Bekim Gashi nga fshati Tërrnje i Suharekës, tash e 27 vjet, në çdo varrezë masive të hapur ka kërkuar katër motrat dhe nënën e tij. Ai ka ndjekur çdo gjurmë të tyre dhe ka rendur pas çdo lajmi për të zhdukurit.
“Të vetmen adresë për zbardhjen e personave të pagjetur e kërkojmë në hapjen e arkivave në Serbi. Personalisht po flas për rastin tonë, dihet se kush e ka kryer krimin, është Brigada 549 dhe ajo i ka shënimet ku ndodhen trupat e më të dashurve tanë”, ka thënë Bekim Gashi, familjar i personave të zhdukur.
Gashi u bën thirrje institucioneve dhe organizatave joqeveritare që të mos japin emra të pakonfirmuar, pasi sipas tij, për familjarët e personave të zhdukur, më i rëndi është një lajm i pavërtetë.
Ndërkohë, mjeku ligjor Dritor Haliti sqaron se për ekzaminimin e ADN-së duhen së paku tre muaj.
“Faza e parë që e bëjmë në institut është që menjëherë e marrim një mostër dhe e dërgojmë në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, ku ajo i nënshtrohet analizave sistematike me qëllim që të nxirret profili i ADN-së, i cili pastaj do të krahasohet me të dhënat dhe gjakun e dhënë të familjarëve dhe pastaj dalim me konstatim”, ka thënë Haliti.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë deklaroi se familjarët kanë të drejtë të dinë çdo gjë rreth procesit.
“Familjarët kanë të drejtë që jo vetëm t’i varrosin të afërmit e tyre me nderime të larta, por edhe kanë të drejtë që të dinë çdo gjë rreth procesit dhe pse janë vonuar deri tash gjetja e familjarit të tyre”, ka thënë Blakaj.
Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, organizatat joqeveritare mbajtën diskutim publik, ku u tha se për vendndodhjen e rreth 1600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit duhet të hapen arkivat në Serbi.

Milan Radoiçiq regjistroi pesë parcela toke pranë Novi Pazarit në emrin e tij, njërën prej të cilave e ndan me Sinisha Nedelkoviq
Aktakuza: Serbia mobilizoi të gjitha forcat, s’i mjaftonte vetëm eliminimi i Adem Jasharit
Kurti në përvjetorin e vdekjes së Shën Nënës Tereza: Ajo u shndërrua në urë jo në mur
20 punëtorë të vdekur në punë më 2026, Azemi: Përgjegjësia kryesore mbi pronarët e kompanive
Raportohen katër raste të personave të zhdukur në Kosovë, dy të mitur
I dyshuari për spiunazh i ka kërkuar BIA-s që të përdorë “dajakun” për të siguruar votat për Vuçiqin
Pas trajtimit jashtë vendit, ndërron jetë i lënduar në aksidentin në Loxhë
Policia e Kosovë sot mbush 27 vjet nga themelimi i saj