Prishtinë, 1 shtator 2026 06:58
Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka zhvilluar takim në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, ku ka ngritur çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Hoti ka bërë të ditur se në takim me përfaqësues të sekretariatit të Komitetit të OKB-së për Zhdukjet me Forcë dhe të Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, ka kërkuar angazhim më të fuqishëm ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
“Në takim ngritëm çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe kërkuam angazhim më të fuqishëm ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të tyre”, ka shkruar Hoti.
Ai ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për detyrimet që rrjedhin nga Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë.
“Duke pasur parasysh se Serbia është shtet palë në Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë, kërkuam që ajo të mbahet përgjegjëse për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga kjo Konventë”, ka deklaruar ai.
“Përfaqësuesve të OKB-së u dorëzuam edhe një kërkesë zyrtare, përmes së cilës kërkuam intensifikimin e përpjekjeve ndërkombëtare për sigurimin e informacionit dhe dokumentacionit që mund të ndihmojë në lokalizimin e personave të zhdukur, zbardhjen e rrethanave të zhdukjes së tyre dhe avancimin e drejtësisë”, ka shkruar Hoti.
Ministri në detyrë ka theksuar se familjet e personave të zhdukur kanë të drejtë ta dinë të vërtetën, pavarësisht kohës që ka kaluar nga lufta.
“Çështja e personave të zhdukur me dhunë nuk mund të mbetet peng i kohës apo i vullnetit politik. Familjet kanë të drejtë të dinë të vërtetën. Drejtësia dhe përgjegjësia nuk kanë afat”, ka thënë Hoti.
Në delegacionin që mori pjesë në takimet në Gjenevë ishin edhe Mirishahe Limani Hiller, themeluese e Shoqatës Kulturore në Gjenevë “Dora d’Istria”, Lisa Mazzone, kryetare e Partisë së të Gjelbërve të Zvicrës, Sebastien Gricourt, ish-anëtar i KNKK-së, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe ukrainas.

Milan Radoiçiq regjistroi pesë parcela toke pranë Novi Pazarit në emrin e tij, njërën prej të cilave e ndan me Sinisha Nedelkoviq
Aktakuza: Serbia mobilizoi të gjitha forcat, s’i mjaftonte vetëm eliminimi i Adem Jasharit
Kurti në përvjetorin e vdekjes së Shën Nënës Tereza: Ajo u shndërrua në urë jo në mur
20 punëtorë të vdekur në punë më 2026, Azemi: Përgjegjësia kryesore mbi pronarët e kompanive
Raportohen katër raste të personave të zhdukur në Kosovë, dy të mitur
I dyshuari për spiunazh i ka kërkuar BIA-s që të përdorë “dajakun” për të siguruar votat për Vuçiqin
Pas trajtimit jashtë vendit, ndërron jetë i lënduar në aksidentin në Loxhë
Policia e Kosovë sot mbush 27 vjet nga themelimi i saj